Vijojnë kërkimet për të zhdukurin në në liqenin e Likovës, Angellov: Dukshmëria është shumë e dobët

Gjashtë zhytës të Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigrat” dhe tetë të tjerë nga Batalioni për Qëllime Speciale “Ujqit”, së bashku me pjesëtarët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, sot kanë vazhduar kërkimet për të zhdukurin më 30 korrik në ujërat e liqenit artificial të digës “Gllazhnja”, transmeton 360 Gradë.

Po kërkohet fundi i liqenit, si dhe bregu i liqenit, njofton drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza – Stojançe Angellov, i cili ndodhet në vendin e ngjarjes së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim – Bekim Maksuti.

“Fatkeqësisht edhe sot kushtet janë të këqija, dukshmëria është shumë e dobët. Vetëm pak metra nga bregu, thellësia arrin më shumë se 10 metra, dhe pak metra nga bregu, thellësia është më e madhe se 20 metra. Zhytësit tanë janë të trajnuar dhe zhyten në një thellësi maksimale prej 40 metrash”, thotë Angellov.

Bekim Maksuti, nga ana tjetër tha se ekipet e përbashkëta të Drejtorisë dhe MPB-së do të vazhdojnë kërkimet deri në gjetjen e trupit të të zhdukurit.

“Sot dhe dy ditët në vijim janë kritike që ne të kemi sukses, pra të gjejmë personin që u zhduk në ujërat e liqenit javën e kaluar dhe kështu të përfundojmë një mision humanitar”, tha Maksuti.

Ekipet e MPB-së dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë qenë në kërkim të një personi që më 30 korrik ka hyrë në liqenin te diga “Gllazhnja” në Likovë dhe nuk ka dalë. Bëhet fjalë për një burrë 30 vjeçar me inicialet F. R. nga fshati Nikushtak.