Vieri, i kënaqur me Italinë e Mancinit

Ish-futbollisti italian, Christian Vieri, është shprehur i kënaqur me punën që trajneri Roberto Mancini e ka bërë me ekipin kombëtar të Italisë.

Gian Piero Ventura i dha fund periudhës së tij si trajner i Italisë me dështimin për t’u kualifikuan në Kupën e Botës Rusia 2018. Pas këtij dështimi, Roberto Mancinit iu dha detyra për ta kthyer Italinë në majat e futbollit ndërkombëtar, transmeton Gazeta Express.

Azurët i fituan të gjitha dhjetë ndeshjet kualifikuese në grupin e vet për Kampionatin Evropian, ku tani u ka rënë shorti të përballen me Turqinë, Uellsin dhe Zvicrën.

Ky turne pritej të zhvillohej në qershor të këtij viti, mirëpo UEFA ka vendosur që ta shtyjë Kampionatin për verën e vitit 2021, në mënyrë që t’u japë kohë ligave t’i mbyllin kampionatet këtë sezon, shkaku i pandemisë së koronavirusit.

“Ka kaluar një kohë e gjatë që kur e kam parë Italinë të luajë kaq mirë, ia kam thënë këtë edhe vetë Mancinit”, ka thënë Vieri, në një intervistë të dhënë për Corriere della Sera.

“Ai i sjellë cilësitë më të mirë të lojtarëve, i sheh lojtarët e rinj të talentuar dhe nuk frikësohet t’i inkuadrojë ata në skuadër, por pa i lënë anash disa nga lojtarët më të vjetër që e meritojnë të jenë aty”.