Një video e publikuar së fundmi në rrjetet sociale ka rikthyer emocione të forta tek fansat e Shpat Kasapit.
Në pamjet e realizuara disa vite më parë, në një intervistë televizive, këngëtari shfaqet duke folur me mall e dashuri për momentin kur do të bëhej baba i një djali, një dëshirë që e rrëfente me buzëqeshje dhe shumë emocion.
Në video, moderatori e uron që fëmija të vijë në jetë i shëndoshë, ndërsa Shpati, me qetësinë dhe sinqeritetin që e karakterizonte, përgjigjet: “Ajo është më e rëndësishmja, të vijë në jetë i shëndoshë, të rritet me prindër të shëndoshë, të rritet në ambient të shëndoshë, në familje të shëndoshë”.
Screenshot/Top Channel
Në një moment tjetër, kur ai pyetet simbolikisht se çfarë ka brenda zemrës, Kasapi përgjigjet duke buzëqeshur: “Shkronja S”, një dedikim i qartë për bashkëshorten e tij, Selvijen, me të cilën kishte një lidhje të fortë dhe të përkushtuar.
Videoja është shpërndarë gjerësisht si një kujtim i çmuar për artistin, i cili u nda papritur nga jeta pas një sulmi në zemër, duke lënë pas një boshllëk të madh te familjarët, kolegët dhe mijëra fansat që e ndoqën për vite me radhë.
Screenshot/Top Channel
Shpati u varros të dielën në Tetovë, pas një ceremonie mortore të mbajtur mes dhimbjes së thellë dhe kujtimeve të shumta.
Familjarët, miqtë dhe kolegët e tij u shfaqën të përlotur, duke e kujtuar si një njeri të mirë, të qetë dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar.
Kujtimet e tij, fjalët e buta dhe dashuria që shprehte për familjen vazhdojnë të prekin zemrat e publikut, teksa rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe ngushëllimi dhe homazhe për këngëtarin që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare. /Telegrafi/






