Vetëvendosje mbanë referendum për ta aprovuar marrëveshjen me LDK-në

Në konferencën për shtyp pas arritjes së pajtimit me LDK-në, Kurti ka thënë se Vetëvendosje ka filluar përgatitjet për referendum partiak.

“Punët veç kanë nisur për referendumin në Vetëvendosje. LDK do ta çojë marrëveshjen në Këshillin e Përgjithshëm. Kështu e parashohin statutet e subjekteve tona”, ka thënë Kurti.

Rreth tridhjetë mijë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje pritët gjatë ditës sotme të votojnë për marrëveshjen bashkë-qeverisëse me Lidhjen Demokratike që u nënshkrua në orët e mëngjesit të sotëm.

I gjithë procesi do të fillojë në mesditën e së dielës ku secili anëtar i VV-së do të votojë në pikat e partisë në çdo komunë të Kosovës.

Ky është një veprim i cili është paraparë në statutin e Lëvizjes Vetëvendosje, që për secilën marrëveshje të nivelit nacional dhe të rëndësishëm të pyeten secili anëtar i partisë.

Sot u nënshkrua marrëveshja për koalicionin qeverisës ndërmjet LVV-së dhe LDK-së ndërsa nesër në seancën plenare pritet të votohet qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.