Vetëvendosje mban zgjedhjet e brendshme, voton Kurti (VIDEO)

Vetëvendosje është duke mbajtur zgjedhjet e brendshme partiake, andaj kryetari i kësaj lëvizjeje Albin Kurti, ka thënë se sot përcaktohen për udhëheqje progresiste për katër vjetët e ardhshme.

Ai, përmes një postimi në Facebook, kërkoi që të bëhen më të mirë se që janë, njofton Klankosova.tv

“Viti 2022 është vit i zgjedhjeve. Le të bëhemi më të mirë se vetja. Gratë votojnë për gratë, të rinjtë votojnë për rininë, të gjithë votojmë për VETËVENDOSJE!-n. Përcaktohemi për udhëheqje progresiste për katër vjetët e ardhshme: përveçse për kryetar të LVV, kësaj radhe edhe për kryetare të GVV e kryetar të RVV”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai i ka ftuar të gjithë anëtarët të votojnë.

12:17 – Voton Konjufca

Anëtari i Vetëvendosjes Glauk Konjufca ka votuar për zgjedhjet e brendshme të këtij subjekti politik.

Konjufca nuk ka kandiduar për ndonjërën pozitë për të cilën votohet sot në VV.

Kujtojmë se sot Vetëvendosje voton për kryetar të subjektit, për kryetar të organizatës Gratë për Vetëvendosje deh kryetar për organizatën Rinia për Vetëvendosje dhe organet e njëjta në nivel të qendrës.

11:31 – Voton Haxhiu, që synon drejtimin e Grave për Vetëvendosjes (VIDEO)

Kandidatja e Grave për Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka votuar për zgjedhjet e brendshme në VV.

Ajo, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sot është një ditë e demokracisë, ku secili anëtar i këtij subjekti ushtron të drejtën të vendosë për struktura të reja në parti.

“Sot është ditë e demokracisë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ku secili prej nesh, si anëtarë të Lëvizjes, ushtrojmë të drejtën tonë për të vendosur për organe e struktura të reja dhe për përfaqësuesit tanë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo i ka ftuar të gjithë anëtarët të shfrytëzojnë të dretjën e votimit dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes, “për të vendosur jo vetëm për lëvizjen, por edhe për vendin përmes votimit të tyre në organizatën politike më të madhe në vend”.

Haxhiu tha se përmes organizatës së gruas do ta çojnë në një nivel tjetër betejën për barazi gjinore.

“Sivjet për herë të parë po themelojmë edhe organizatë atë të rinisë dhe gruas. Përmes organizatës së gruas, do të çojmë në një nivel tjetër betejën tonë për barazi shoqërore e gjinore”.

11:11 – Kurti për grevat: Sindikalistët e PAN-it kanë inat antiqeveritar

Albin Kurti ka votuar sot, me rastin e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje.

Pasi votoi, Kurti u deklarua për media, duke thënë se shpreson që të gjithë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje të votojnë dhe të zgjedhin udhëheqje të mira në strukturat ekzistuese.

I pyetur nga Indeksonline për hapjen e shkollave, Kurti tha se pret që mësimi të fillojë sa më parë.

“Duhet që mësimi të fillojë sa më parë. Është dashur të fillojë me një shtator. Jam i bindur që nxënësit duan të shkojnë në shkollë, jam i bindur që prindërit duan që fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë, jam i bindur që edhe mësimdhënësit duan të japin mësim nëpër shkolla. Këtë bindje ka edhe qeveria. Nuk duam që të bojkotohet shteti, sepse shkolla është shteti”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se Këshilli Grevist ka refuzuar të gjitha ofertat që qeveria i ka bërë.

“Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Për përshtypjen time të fuqishme, në të gjitha takimet që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar… prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve iu është ndalur sahati më 5 qershor 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. E tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë, duke e bërë grevën armë kundër qeverisë”, shtoi kryeministri.

Në 46 qendra, zgjedhjet e LVV-së po mbahen për kryetar të partisë, kryetare të Grave të Vetëvendosjes dhe Rinisë së Vetëvendosjes.

11:02 – Kurti voton në zgjedhjet brenda LVV-së: Urime e gëzuar të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka votuar në zgjedhjet e brendshme të LVV-së, ku ai po garon për kryetar të këtij subjekti politik.

Ai ka falënderuar të gjithë anëtarët e partisë së tij për punën që kanë bërë deri më sot.

“Sot është ditë e demokracisë në LVV. Në 46 degë të Vetëvendosjes mbahen zgjedhje për kryetar të lëvizjes, strukturës, rinia për LVV dhe gratë për LVV. Urime e gëzuar të gjithëve”, tha shefi i qeverisë para gazetarëve.

08:20 – Cilin mandat e synon Kurti në krye të Vetëvendosjes? (VIDEO)

Partia më e madhe në vend sot voton në zgjedhjet e saj të brendshme.

E kryetari aktual i cili është edhe kryeministër, Albin Kurti, garon edhe për një mandat katërvjeçar, njofton Klankosova.tv

Duke marrë parasysh se mbështetja e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për Albin Kurtin është e pakontestueshme, vendosja e tij në krye të partisë nuk përbën ndonjë befasi për opinionin publik.

Megjithatë, gjatë rrugëtimit 17 vjeçar të kësaj lëvizjeje, Kurti nuk ishte gjithmonë në krye të saj.

Kjo lëvizje në vitin 2005 e mori emrin Lëvizja Vetëvendosje dhe në zgjedhjet e para të brendshme të saj, ai u zgjodh kryetar. Këtë post ai e mbajti për gati një dekadë.

Në mars të vitit 2015, ky subjekt mbajti për herë të dytë zgjedhjet e brendshme me Visar Ymerin si kandidat të vetëm për kryetar partie. Sipas rezultateve të publikuara nga vetë subjekti politik, Ymeri në zgjedhjet për kryetar partie pati fituar 96.42 për qind të votave të anëtarësisë së partisë për të drejtuar VV-në.

Sidoqoftë, për shkak të disa mosmarrëveshjeve që rezultuan në largimin e shumë figurave të rëndësishme brenda VV-së, ndër ta ishte edhe Ymeri, që dha dorëheqje.

“Unë sot jap dorëheqje në shenjë mospajtimi me këto zhvillime. Por, edhe si akt zhgënjimi që këto nuk kam arritur t’i ndalë. Kohëve të fundit kam parë një intensitet të shtuar të shpërfilljes së plotë të pozitës sime si kryetar dhe të organeve drejtuese të Lëvizjes sa herë që këto kanë marrë vendime që nuk kanë qenë në përputhje me vullnetin e një pjese të aktivistëve. Në këto rrethana është e pamundshme të drejtosh. E nëse nuk drejtoj atëherë nuk ka kuptim që të mbetem kryetar”, pati thënë ai.

Pas dorëheqjes së tij, Vetëvendosje mbajti zgjedhje dhe sërish Kurti erdhi në krye të saj.

Këtë të diel, ky subjekt politik i mban zgjedhjet e saj të brendshme për të katërtën herë me radhë dhe sërish Kurti ka shpallur kandidaturën e tij ku synon mandatin e tretë, njofton Klankosova.tv.

8:17 – Analistët për zgjedhjet në LVV: Proces aspak demokratik (VIDEO)

Në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje që mbahen sot, Albin Kurti s’ka kundër kandidat.

Por, derisa njeriu që e drejton qeverinë u zotua për një proces demokratik, një politolog nuk është i mendimit se janë plotësuar nivelet themelore të demokracisë.

“Ka ndodhur edhe një test për kandidatët e ka pas përjashtime të kandidatëve dhe kjo gjithsesi se e mohon demokracinë e mirëfilltë e vullnetin për tu zgjedhur ose për të zgjedhur brenda një sistemi politik”, tha Albinot Maloku.

Ai tregon se priste që Kurti të rikandidonte, porse kjo sipas tij nuk do të sjellë reformat e nevojshme brenda këtij subjekti politik.

E Shqipe Pantina, që ishte pjesë e lëvizjes, thotë se shumë anëtareve u është mohuar e drejta për të kandiduar për udhëheqës të degëve.

“Mënyra si është ndërtuar Lëvizja Vetëvendosje dhe po ashtu dhe si është zhvilluar deri të tani nuk lë hapësirë për zhvillimin, t’i quajmë ashtu të kuadrove apo njerëzve që do të kishin kapacitet lidershipi të krahasueshëm me Albin Kurtin, një përpjekje që patëm bërë në vitin 2017 ju e dini që pati dështuar”, deklaroi Pantina.

Në krye të grave brenda kësaj lëvizjeje po synon të jetë Albulena Haxhiu, po ashtu pa kundër kandidate.

07: 53 – Vetëvendosje sot mban zgjedhjet e brendshme

Sot do të mbahen zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje.

Qendrat e vendvotimeve do të hapen në orën 10 dhe do të mbyllen në orën 19, njofton Klankosova.tv

Në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje që mbahen sot, Albin Kurti s’ka kundër kandidat.

Në linkun e mëposhtëm gjeni qendrat e vendvotimeve.