Vetëm një gjinekologe në spitalin e Kërçovës, reparti mbulohet me ndihmën e specialistëve nga Shkupi

Reparti i Gjinekologjisë në Spitalin e Kërçovës funksionon vetëm me një mjeke specialiste, e cila njëkohësisht ushtron edhe detyrën e drejtoreshës së spitalit. Të gjitha shërbimet, nga lindjet normale dhe ato me prerje cezariane, deri te abortet dhe kontrollet gjinekologjike, mbulohen nga e njëjta mjeke. Vetëm gjatë disa fundjavave ndihmë ofrojnë specialistë nga Klinika e Gjinekologjisë në Shkup, raporton TV21.

“Në moment në Gjinekologji akusheri e punësuar si specialit Gjinekolog jam vetëm unë në moment, kemi marrëveshje aktive me gjinekolog në Shkup për dy specialistë por marrëveshjen e kanë që të vijnë vetëm kur kanë ditë të lira, atëherë kur nuk do të kenë pengesë për punën e rregullt në klinikë, ndodh që për një muaj paraqiten 2 deri në 3 herë, ndonjë muaj edhe 10 herë maksimumi, ndërsa pjesën e mbetur të muajit e mbuloj vetëm unë”, tha Maja Cvetanovska Trajkovska – drejtoreshë e spitalit të Kërçovës.

Drejtoresha thotë se, përveç orarit të rregullt të punës, është vazhdimisht në gatishmëri për të reaguar ndaj çdo rasti urgjent, edhe kur ndodhet në shtëpi.

“Unë çdo ditë jam ndërrimi parë dhe çdo ditë jam edhe në repart edhe këtu në drejtori, në orët e pasdites jam në gatishmëri në detyrë në çdo thirrje dhe disa ditë në javë një ose dy ditë kam edhe kujdesi sidomos gjatë vikendit kur ka më shumë punë. Kështu që gjatë muajit 15 deri në 20 ditë jam kujdestar në thirrje, 7 deri 8 ditë kam kujdestari”, deklaroi Maja Cvetanovska Trajkovska.

Aktualisht dy mjeke janë në specializim për gjinekologji. Nëse ato e përfundojnë specializimin sipas planit, pritet që brenda dy vitesh reparti të ketë një ekip më të plotë dhe të sigurojë funksionim më të qëndrueshëm.