Vetëm BDI nuk ka qëndrim për datë konkrete zgjedhore

Fejzi HAJDARI
Në debatin e ashpër se kur duhet të mbahen zgjedhjet, partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë dale me vlerësime fillestare se cila, sipas tyre, do të ishte data, ose periudha më e përshtatshme kohore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, që duhej të mbahen më 12 prill.
Koalicioni ASH-AAA preferon 26 korrikun, si datë me rrezik më të vogël potencial për votuesit nga koronavirusi. LSDM preferon 21 qershorin, por shprehet e gatshme për datë kompromisi deri në fillim të korrikut. VMRO-DPMNE kërkon datë në fund të gushtit, ose në fillim të shtatorit, madje edhe me kusht që t’i bojkotojë zgjedhjet nëse mbahen në qershor.
Për dallim prej tyre, BDI mban një qëndrim abstrakt dhe të padefinuar, që zgjedhjet të mbahen kur mos të rrezikohet shëndeti i qytetarëve. Në fakt ky nuk është qëndrim politik, por është logjikë e shëndoshë që nuk e konteston askush. Vetëm një subjekt brenda të cilit nuk mbretëron logjika e shëndoshë, mund të mendojë se ky është qëndrim politik ose partiak.
Hipokrizia e këtij qëndrimi vetëm se shtohet me frazën boshe “ne jemi të gatshëm për zgjedhje, kurdo që të mbahen ato”. Edhe pse në BDI mendojnë se me këtë qëndrim krijojnë imazh sigurie para qytetarëve, kjo më tepër tregon se BDI është e vetëdijshme se do të humbë kurdo që të mbahen zgjedhjet.
Mendoj se ka disa arsye pse BDI mban kësi qëndrimi të padefinuar lidhur me datën e mbajtjes së zgjedhjeve, por kësaj radhe do t’i numëroj katër.

Kjo parti nuk i ka matematikat e mira në teren dhe realisht i nevojitet sa më tepër prolongim, me shpresë se si parti në pushtet mund t’i ndryshojnë këto matematika, e edhe nëse nuk përmirësohen, të kenë në disponim edhe ca kohë për të “vjelur” të mirat e pushtetit dhe për të fshehur gjurmët që mund të fshihen.
Arsyeja e dytë është se kurdo që të caktohet data e zgjedhjeve, BDI ka dëshirë të dalë të thotë se ja zgjedhjet po mbahen kur tha Ali Ahmeti (edhe pse nuk përmendin asnjë datë). Jo rrallë herë BDI del me kësi qëndrime paradoksale, mos të them të marra, në funksion të propagandës tashmë të zbehur partiake për ta stolisur vazhdimisht liderin me merita të rrejshme (situata ndryshon plotësisht kur ndodhin gjëra në dëm të shqiptarëve, kur BDI dhe Ahmeti distancohen nga çdo lloj përgjegjësie, duke u mbështjellë me lëvozhgë të OJQ-së).

Arsyeja e tretë është se BDI njëherë veçmë është “djegur” lidhur me datën e zgjedhjeve. Ju kujtohet shumë mirë se kjo ndodhi para zgjedhjeve të vitit 2014. Në atë kohë Gruevski kërkonte zgjedhje të shpejta, kurse BDI ishte kundër duke dalë me formulimin “na duhet zgjidhje, e jo zgjedhje” (fjala ishte për çështjen e emrit). Mirëpo situata ndryshoi kur Gruevski ua “shkeli bishtin” dhe BDI pastaj u bë qesharake, duke insistuar që ose zgjedhjet të mbahen në datën që e kërkonte Gruevski, “ose do të dalim nga qeveria”. De facto, atë që e pështy dje, kjo parti u desh ta lëpijë të nesërmen.

Ka edhe një arsye tjetër ps BDI mban qëndrim të padefinuar lidhur me zgjedhjet, që ndoshta është arsyeja kryesore. Kjo parti blen kohë për të matur pulsin e partive maqedonase me të cilat ka bashkëqeverisur, se cila prej tyre ka më shumë materiale në disponim për t’i shantazhuar. Mendoj se dalngadalë qëndrimi i BDI-së lidhur me datën e zgjedhjeve, do të konkretizohet dhe do të afrohet me qëndrimin e partisë maqedonase që posedon më shumë materiale kompromituese për udhëheqësit e saj (sipas meje nuk diskutohet që të dy partitë posedojnë materiale të tilla, por dilema është se cila ka materiale më komprometuese).
Në këtë mënyrë, BDI dëshiron të mos i përsëritet edhe një herë situata e 2014-tës dhe të dalë me qëndrim, të cilin pastaj vetë do të duhet ta kundërshtojë. Siç thotë populli, një herë i është djegur ‘tamli’, tani i fryejnë edhe kosit.