Vetëm barazia kushtetuese garanton barazi të plotë të gjuhëve

Shkruan: Florian NESIMI

Në dy dekadat e fundit në vendin tonë vazhdimisht ka ekzistuar debati për shtetformësinë dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Por ajo që duhet të thuhet qartë që në fillim është se vetëm barazia kushtetuese ndërmjet dy popujve i garanton gjuhës shqipe barazi të plotë në shtet. Çdo gjë tjetër është thjesht një e drejtë e përkohshme që pushteti mund të ta japë sot e të ta merr nesër.

Nëse e lexojmë me vëmendje Kushtetutën, e kuptojmë qartë çështjen e gjuhëve. Amandamenti V thotë: “Gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik”. Kjo është e gjithë fjalia dhe ky është realiteti i pacënueshëm juridik. Gjuha shqipe në këtë paragraf nuk përmendet fare. Përdorimi i saj rregullohet në paragrafin tjetër, jo si gjuha shqipe por me termin “gjuhë tjetër që e flasin 20 përqind e qytetarëve”. Kështu shqipja nuk emërohet drejtpërdrejt si gjuhë zyrtare në nivel kushtetues si maqedonishtja, por ajo varet nga pragu demografik. Me Kushtetutë gjuhës shqipe nuk i garantohet barazia e plotë por barazia me kusht.

Politika e vjetër dhe ish-pushteti pranoi që shqipja të fshihej pas këtij formulimi, duke na futur në të njëjtën kategori me gjuhët e komuniteteve tjera si turqishtja apo gjuha rome, të cilat po ashtu bëhen zyrtare në ato komuna ku përqindja e tyre arrin pragun prej 20 përqind. Dhe kështu ne vend që Kushtetuta të na karegorizojë si popull shtetformues, ajo na katandis në statistika dhe numra dhe na fut në të njëjtën kategori me pakicat.

Mjafton të shohim si është e rregulluar çështja e gjuhëve në Kosovë për të kuptuar se si duket barazia e vërtetë. Në Kushtetutën e Kosovës, Neni 5 thotë shkurt dhe qartë: Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë Gjuha Shqipe dhe Gjuha Serbe. Pikë. Pa presje dhe pa përqindje. Pa paragrafe tjera. Atje gjuha serbe është zyrtare me emër e mbiemër në të gjithë territorin, ashtu siç duhej të ishte shqipja këtu.
Por këtu patjetër duhet të parashtrohet një pyetje për të cilën dikush duhet të jep përgjigje dhe llogari: Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua në vitin 2001, ndërsa Ligji për përdorimin e gjuhëve u soll në vitin 2019, pas plot 18 vitesh vonesë! Çka bëri BDI nga viti 2001 deri në vitin 2019? Për dy dekada në pushtet, ata u kënaqën me postet, funksionet, drejtoritë dhe me privilegjet klanore, duke e lënë çështjen e gjuhës në sirtarët e harresës. E kur u soll ligji në vitin 2019, ai erdhi si një zgjidhje e cunguar ku vazhdon të qëndrojë problemi apo moszgjidhja brenda kornizave të kushtetuetës. Ky është rezultati i 22 viteve rehati të funksionarëve në kolltukët e pushtetit, e në kurriz të gjuhës sonë.

Shembulli më i freskët i hipokrizisë është provimi i jurisprudencës, që është kusht për t’u bërë avokat, gjyqtar apo prokuror. Ky provim jepet vetëm në gjuhën maqedonase, duke krijuar një barrierë të madhe për juristët shqiptarë. Sot opozita kërkon që provimi të jepet edhe në shqip por harrojnë, ose bëjnë sikur harrojnë, se për dy dekada sa ishin në pushtet kishin edhe ministrat e tyre të Drejtësisë dhe nuk bënë absolutisht asgjë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në shqip.

Gjërat duhet thënë troç dhe qartë: nuk ka barazi të plotë të gjuhës pa mos e zëvendësuar në kushtetutë 20 përqindshin me gjuhën shqipe. Gjuha shqipe duhet të jetë në Preambulë dhe në nenet e Kushtetutës. Vetëm ashtu shqipja do të sanksionohet si gjuhë zyrtare e barabartë në aktin më të lartë juridik. Ndryshe, do të vazhdojë edhe më tej kapitulli i mashtrimeve 22-vjeçare.