Vetëm Albin Kurti takohet me Vjosa Osmanin si lider partie

Mustafa s’i shkon në takim Osmanit, nuk e komenton as vendimin e Kushtetueses
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka mbërritur në selinë e tij.

Mustafa ka thënë për KOHËN se nuk do të shkojë personalisht ai në takim te u.d Presidentja Vjosa Osmani, por një përfaqësues i partisë, që KOHA ka mësuar se është Arben Gashi.

Ai nuk ka dashur të komentojë se pse nuk do të shkojë në takim te Osmani dhe as vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Osmani takohet vetëm me Kurtin si lider partie, të tjerët përfaqësues
Albin Kurti, kryetari i Vetëvendosjes, tashmë ka mbërritur në Presidencë për t’u konsultuar me u.d të presidentes, Vjosa Osmanin, rreth datës së zgjedhjeve.

Kurti edhe është i vetmi lider partie që do të takohet sot me Osmanin.

KOHA mësoi se nga partitë tjera do të shkojnë përfaqësues.

Nga LDK-ja në orën 14:00 do të shkojë Arben Gashi, nga PDK-ja në orën 15:00 do të shkojë Memli Krasniqi dhe në orën 16:00, nga AAK-ja, Besnik Tahiri.

Osmani mbledh partitë politike nga ora 13
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, do të mbledhë nga ora 13:00 partitë politike për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Kjo është bërë e ditur për KOHËN nga zyra e saj.

Presidentja në detyrë, fillimisht do ta takojë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Takimi mes Osmanit e Kurtit pritet të mbahet në ora 13:00.

Ndërkaq, në orën 14:00 nga Lidhja Demokratike me Osmanin do të takohet Arben Gashi. Ndërkohë në orën 15:00 në zyrë të presidentes, siç mëson KOHA, do të shkojë Memli Krasniqi.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të shkojë Besnik Tahiri.

Rasim Selmanaj në një përgjigje për KOHËN tha se kanë mbajtur paraprakisht një takim në AAK, ku janë diskutuar të gjitha proceset duke mos përjashtuar edhe çështjen e presidentit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës të hënën në mbrëmje e ka shpallur të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti dhe se konstatoi se presidenti i Republikës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre. Ky vendim vjen, pasi vota e Etem Arifit u konsiderua e pavlefshme, pasi ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim.

Osmani sot fton partitë politike për konsultim rreth datës së zgjedhjeve të parakohshme
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar për sot t’i ftojë partitë politike për konsultim rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, pas vendimit të Kushtetueses se Qeveria Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jo legjitime.

Pas konsultimit me subjektet politike, pritet të shpallet edhe data e zgjedhjeve, jo më larg se 40 ditë, sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Ethem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, më 3 qershor.

Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ajo po ashtu ka konstatuar se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duke pasur parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses.