Vetëm 1 në 30 fëmijë shqiptarë në Zvicër ndjek shkollën shqipe – synimi është dyfishimi deri më 2036

Në Cyrih u mbajt Konferenca për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Zvicër, ku u diskutua për gjendjen, sfidat dhe të ardhmen e shkollës shqipe. Të dhënat e prezantuara tregojnë një realitet shqetësues: nga rreth 55–60 mijë fëmijë shqipfolës në moshë shkollore, vetëm 1’808 ndjekin mësimin shqip. Synimi për dhjetë vitet e ardhshme është bashkimi i strukturave, rritja e numrit të nxënësve dhe modernizimi i shkollës shqipe.

Konferenca, e mbajtur më 29 gusht 2026 në Cyrih, mblodhi mësimdhënës, prindër dhe përfaqësues të organizatave shqiptare për të diskutuar një prej sfidave kryesore të diasporës: ruajtjen dhe transmetimin e gjuhës shqipe te brezat që lindin dhe rriten në Zvicër.

 

Sipas të dhënave të prezantuara, mbi 250 mijë persona në Zvicër flasin shqip në shtëpi, ndërsa rreth 55–60 mijë fëmijë shqipfolës vlerësohet se janë në moshë shkollore.

Megjithatë, vetëm 1’808 nxënës janë të regjistruar në shkollën shqipe. Kjo përfaqëson rreth 3.3 për qind, apo vetëm një në 30 fëmijë.

Të flasësh shqip në shtëpi nuk mjafton

Një prej arsyeve të diskutuara për pjesëmarrjen e ulët ishte bindja e disa prindërve se fëmija e mëson mjaftueshëm shqipen duke e folur atë në shtëpi.

Në konferencë u theksua se komunikimi i përditshëm familjar nuk e zëvendëson mësimin e strukturuar të leximit, shkrimit dhe zhvillimit të gjuhës.

Si pengesa të tjera u përmendën largësia nga pikat ku zhvillohet mësimi, mungesa e kohës për shkak të shkollës dhe aktiviteteve të tjera, si dhe perceptimi se shqipja ka pak vlerë për të ardhmen profesionale të fëmijëve.

Shkolla shqipe në 17 kantone

Mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Zvicër ka një traditë prej më shumë se tri dekadash dhe sot është i pranishëm në 17 kantone.

Sipas të dhënave të prezantuara, janë mbi 70 mësimdhënës, më shumë se 152 paralele dhe 1’808 nxënës të regjistruar.

Në numër absolut, Cyrihu prin me 697 nxënës, pasuar nga Aargau me 214, Gjeneva me 201, Vaud me 174 dhe Berna me 159. Megjithatë, dallimet ndërmjet kantoneve bëhen më të dukshme kur numri i nxënësve krahasohet me numrin e përgjithshëm të fëmijëve shqipfolës.

Gjeneva tregon se mund të bëhet më shumë

Në Gjenevë, 8.2 për qind e fëmijëve shqipfolës ndjekin mësimin shqip – afërsisht një në 12.

Pas saj renditen Cyrihu me 5.8%, Vaud me 4.4%, Berna me 3.3%, Aargau me 2.9%, St. Gallen me 1.8% dhe Solothurn me 1.2%.

Shembulli i Gjenevës u paraqit si tregues se pjesëmarrja mund të rritet ndjeshëm edhe në kantonet e tjera. “Dyfishimi nuk kërkon mrekulli – kërkon organizim dhe angazhim”, ishte një prej mesazheve të prezantimit.

Shifra shqetësuese edhe në shkollimin e rregullt

Një pjesë e konferencës iu kushtua edhe pozitës së fëmijëve shqiptarë në sistemin arsimor zviceran.

Sipas të dhënave të prezantuara për ciklin fillor në Gjenevë, duke iu referuar SRED/DIP, 5.7 për qind e nxënësve shqiptarë përsërisin klasën, krahasuar me 5.1 për qind të nxënësve portugezë dhe një mesatare të përgjithshme prej 2 për qind.

Kur nga krahasimi përjashtohen nxënësit shqiptarë dhe portugezë, norma e paraqitur është 1.1 për qind. Të dhënat e tjera treguan gjithashtu një rritje të hendekut gjatë viteve të para shkollore.

Në klasën 2P, përsëritja e klasës te nxënësit me gjuhë tjetër familjare u paraqit në 1.5% kundrejt 0.4% te nxënësit frëngjishtfolës. Në 3P raporti ishte 2.8% me 1.3%, ndërsa në 4P 4.2% me 1.6%. Edhe në mësimin e posaçëm u paraqit një dallim: 1.7% e fëmijëve shqipfolës kundrejt 0.7% të fëmijëve frëngjishtfolës.

Këto statistika nuk dëshmojnë vetvetiu se gjuha është shkaku i dallimeve në suksesin shkollor, por ngrenë nevojën për mbështetje dhe analizë më të hershme të zhvillimit gjuhësor dhe arsimor të fëmijëve.

Nga organizimi vullnetar drejt profesionalizimit

Një prej synimeve kryesore të prezantuara ishte profesionalizimi i shkollës shqipe.

Modeli i propozuar parasheh që strukturat kantonale të vazhdojnë punën e tyre lokale, por të bashkohen në një strukturë federative, me synimin: “një zë, një databazë, rregulla të njëjta”.

Parashikohet një databazë e përbashkët e nxënësve dhe mësimdhënësve, administratë dhe faturim i rregullt, struktura të qarta kantonale dhe mbrojtje e të dhënave personale sipas rregullave zvicerane.

Për prindërit kjo duhet të nënkuptojë regjistrim më të qartë, fatura të sakta dhe mësues të mbështetur nga një administratë moderne.

Tri sfidat: nxënësit, brezi i ri dhe financimi

Në konferencë u identifikuan edhe tri sfida kryesore: numri i ulët i nxënësve, mungesa e brezit të ri në strukturat organizative dhe financimi.

Shumica e fëmijëve shqipfolës vazhdojnë të mbeten jashtë shkollës shqipe, ndërsa një pjesë e madhe e strukturave mbështeten ende te brezi i vjetër.

Synimi është që të rinjtë të përfshihen më shumë si mësues, drejtues dhe vullnetarë. Ndërkohë, shkolla financohet kryesisht nga pagesat e prindërve dhe puna vullnetare, çka e vështirëson planifikimin afatgjatë.

“Tutor#shqip”, mbështetje edhe për suksesin në shkollën zvicerane Në kuadër të konferencës u prezantua edhe programi “tutor#shqip”, i menduar për fëmijët dhe të rinjtë shqipfolës në moshë shkollore që kanë nevojë të forcojnë kompetencat gjuhësore dhe shkollore.

Programi synon të ndërthurë forcimin e shqipes me mbështetjen në lëndët shkollore dhe ta shohë shumëgjuhësinë si një përparësi për zhvillimin e fëmijës.

Mësimi përfshin lexim, shkrim, zhvillim të gjuhës, punë kreative dhe tema ndërkulturore.

Parashihet gjithashtu bashkëpunim i afërt ndërmjet mësuesve, prindërve dhe shkollave. Në kuadër të projektit po kërkohen edhe mësimdhënës me kompetenca në gjuhën dhe kulturën shqipe, të cilët mund të përfshihen në program.

Plani 2036: nga 1’808 në 3’500 nxënës

Konferenca prezantoi edhe “Synimi ynë 2036”, një plan dhjetëvjeçar të ndërtuar mbi katër objektiva.

Synohet bashkimi në një shkollë shqipe për mbarë Zvicrën; dyfishimi i numrit të nxënësve nga 1’808 në rreth 3’500; përfshirja e brezit të ri në mësimdhënie dhe drejtim; si dhe modernizimi i administratës dhe mënyrës së mësimdhënies.

Kështu, konferenca në Cyrih nuk evidentoi vetëm problemet, por paraqiti edhe një drejtim konkret për dhjetë vitet e ardhshme.

“Regjistroni fëmijët. Angazhohuni.” Në fund, mesazhi iu drejtua drejtpërdrejt prindërve dhe komunitetit shqiptar: “Regjistroni fëmijët. Angazhohuni.” Sepse pas statistikave, strukturave dhe planeve mbetet një synim shumë i thjeshtë: që brezat e rinj të shqiptarëve në Zvicër të mos thonë “Nuk flas shqip”, por: “Unë flas shqip.”

Kjo është edhe sfida e vërtetë për vitin 2036: jo vetëm të ketë më shumë nxënës në bankat e shkollës shqipe, por që shqipja të vazhdojë të flitet, lexohet, shkruhet dhe të përcillet nga një brez te tjetri.