Veseli: Qeveria dështoi të menaxhojë situatën, Kosova ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme

Neglizhenca e Qeverisë për të testuar qytetarët që kanë hyrë në Kosovë nga vendet e prekura me coronavirus, sipas Veselit, do të rrisë edhe më shumë numrin e të prekurve dhe siç tha ai, qeveria nuk e ka idenë e menaxhimit me këtë situatë të jashtëzakonshme.

Lideri i PDK-së kërkoi që të suspendohen për së paku tre muaj të gjitha kreditë e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë.

Ai tha se Qeveria duhet të dalë urgjent me pako stimuluese për bizneset që mos të lejoj kolapsim të sistemit.

Kreu i opozitës tha se gjendja në Kosovë tanimë është e jashtëzakonshme dhe PDK do ta mbështesë formalizimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

Deklarata e plotë e Kadri Veselit:

Si rezultat i deportimit dhe përhapjes së kësaj pandemie, është krijuar gjendja e jashtëzakonshme edhe në shtetin tonë.

Kjo tanimë është fakt, pavarësisht a e shpallëm formalisht apo jo!

Mjafton të shohësh fshatrat e qytetet tona, mbylljen e shkollave, ndaljen e prodhimit, mbylljen e veprimtarive të shërbimit dhe shumicën aktiviteteve tjera socio ekonomike.

Por, ajo që na obligon të gjithë ne në këtë situatë është veprimi ynë që sa më shpejtë ta ndihmojmë vendin që ti kthehet normalitetit.

Kjo është përgjegjesi në rend të parë e Qeverisë, pastaj e gjithë neve.

Ne e dimë që dëmi akut është shëndetesor, por dhe socio-ekonomik.

Dhe ky dëm mund të lokalizohet dhe kontrollohet nëse veprojmë mencur dhe jemi të vendosur si shtet dhe shoqëri. Në të kundërtën, pasojat do të jenë më të rënda.

Meqenëse në Kosovë numri i të prekurve me Virusin COVID-19 po rritet, masat ekstreme janë të domosdoshme.

Duhet të veprojmë, sa nuk është bërë tepër vonë. Për qytetarët, për ekonominë, për të ardhmen dhe shtetin tonë.

Jemi në një situatë kur banorët e Vitisë, Klinës dhe të Malishevës janë të izoluar brenda qyteteve të tyre, perdserisa edhe ne Podujeve dhe kryeqendren tone kemi te prekur, por kujdesi për këto komuna nuk është ai i duhuri dhe mbështetja nuk është e mjaftueshme. Rrjedhimisht, përballimi i tyre me këtë gjendje është i vështirë. /Lajmi.net/