Veseli: LDK e LVV e kanë dëmtuar Kosovën në momentin kulmor të pandemisë

Sipas tij Kosova nuk ka pasur nevojë për këto veprime në këta kohë.

Kështu ka deklaruar Veseli, derisa është pyetur për zhvillimet e fundit në vend, dhe veprimet e LDK-së për mundësinë e formimit të koalicionit me AAK-në, Nismën dhe AKR-në.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë dëmtuar Kosovën, në momentin më kulmor të pandemisë. Nuk kemi pasur nevojë për këtë shtyrje të tyre, pikërisht në këtë kohë. Qëndrimi i PDK-së është shumë i qartë, do ta themi në Prishtinë, se këtu jemi te djersa e njerëzve që po e mbajnë Kosovën”, deklaroi Veseli.

Veseli teksa ka vizituar disa fermerë në Krushën e Madhe, është zotuar se pako e rimëkëmbjes ekonomike e propozuar nga PDK, në vlerë prej 320 milionë eurove do të kalojë.

“Është e paevitueshme që të kalojë pako e rimëkëmbjes kombëtare. Është duke na marrë kohë kjo çështja e politizimit të tepruar të luftës për pushtet që po zhvillohet. Ne presim kryetarja e Kuvendit ta vëjë në kryesi, ta procedojë, sepse ajo është në procedim për të ardhur në Kuvend të Kosovës. Nuk e patëm vullnetin politik që ta kalojmë për një ditë. Por e kemi mundësinë që shumë shpejt, për një ditë ta kalojmë këtë financiare, e cila është e domosdoshme”, u shpreh Veseli, raporton KP.

Ai bëri thirrje që pakoja financiare të kalojë sa më shpejt, në mënyrë që ndërmarrjet të mos përjetojnë kolaps.