Vesa ngre alarmin për lojën e rrezikshme që ka fiksuar plot fëmijë

Këngëtarja e njohur Vesa Luma ka reaguar publikisht për një prej trendeve më të përhapura mes fëmijëve – lojën Roblox, që po konsiderohet gjithnjë e më shumë si burim shqetësimi për prindërit në mbarë botën.

Në një postim në Instagram, Vesa ka ndarë një video ku flitet për ndikimin e kësaj loje dhe ka rrëfyer përvojën personale me djalin e saj, Lianin, i cili për disa ditë ishte bërë pjesë e botës virtuale të Roblox.

“O Zot, faleminderit që më ke bërë atë nënën që disa e ‘përqeshin’ se i rri shumë gati djalit! Liani qëndroi vetëm disa ditë në Roblox, deri sa e bëmë të kuptojë vetë që është e keqe si lojë për të. Është alarmante situata”, ka shkruar ajo.

Mesazhi i saj është kthyer në një thirrje për ndërgjegjësim prindëror, duke vënë në qendër pyetjen: sa i sigurt është realisht interneti për fëmijët?

Roblox, që në pamje të parë duket si një hapësirë kreative ku fëmijët ndërtojnë botë virtuale, fsheh disa rreziqe serioze. Përdoruesit mund të krijojnë “lojëra brenda lojës”, ku shpesh mungon kontrolli mbi përmbajtjen, duke ekspozuar fëmijët ndaj skenave të papërshtatshme, komunikimeve të dyshimta dhe varësisë digjitale.

Në shumë vende, përfshirë SHBA-në, janë ngritur padi ndaj kompanisë që menaxhon platformën, pasi persona të rritur kanë përdorur lojën për të kontaktuar me fëmijë në mënyrë të fshehtë. Ekspertët e teknologjisë paralajmërojnë se loja mund të shkaktojë probleme ankthi, mungesë përqendrimi dhe varësi emocionale, për shkak të mënyrës se si është ndërtuar për të mbajtur fëmijët aktivë pa pushim.

Vesa, me reagimin e saj të drejtpërdrejtë dhe njerëzor, i bashkohet një teme që po bëhet gjithnjë e më e ndjeshme për prindërit shqiptarë, siguria e fëmijëve në botën online.

Ajo kujton se edhe kur gjithçka duket “lojë”, pas ekranit mund të fshihet diçka që nuk është aspak e pafajshme.