Këngëtarja e njohur Vesa Luma ka ndarë një reflektim të fortë mbi ndikimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në botën e artit, duke paralajmëruar se shumë profesione tradicionale janë në rrezik zhdukjeje.
“Vetëm muajin e fundit janë shtuar mbi 1000 aplikacione AI. Pra, edhe profesioni i kompozitorit, tekstshkruesit apo këngëtarit – në rastet kur këngëtari nuk di të performojë live – po shuhet me kohë rekord”, shkruan Vesa.
Artistja tregon se ndihet me fat që ka jetuar në një periudhë ku muzika kërkonte shpirt dhe kontakt real me publikun, duke shtuar: “Fati im është që e kam ushtruar profesionin tim në kohën më të mirë dhe këngët e mia janë pjekur me veshin e dëgjuesit.”
Në vijim, ajo thekson se pavarësisht sfidave, është mirënjohëse që ka ruajtur edhe formimin akademik përveç muzikës: “Nuk e lashë anash fakultetin dhe sot gëzoj dy profesione. Plus ‘qaj’ live-in dhe performancat!”
Vesa e përmbyll me një mesazh reflektues për të gjithë artistët: “Jetojmë në një kohë kur teknologjia po bëhet më e fortë se ne. Duhet të adaptohemi me kohën, ose do ta kuptojmë shumë vonë që bota sot është ndryshe.”
Një mesazh që prek çdo artist në epokën e inteligjencës artificiale, një epokë ku krijimtaria njerëzore duket se po lufton për të mos humbur vlerën e saj.




