Vërshimet në Shkup, banorët thonë se ky problem është me vite dhe askush nuk e zgjidhi

Kështu duket Lagjja Serava në Shkup pas vërshimeve të djeshme… Para dyerve të shtëpive të vendosura thasë me të cilat banorët mundohen të pengojnë hyrjen e ujit që mblidhet nëpër rrugicat e kësaj lagjeje… Qytetarët vendosin tuba shtesë nëpër kanalizimet atmosferike që ndodhen nëpër oborret e tyre, me qëllim që të mos lejojnë që uji i kanalizimit të përfundojë nëpër shtëpitë e tyre. Banorët thonë se gjithmonë kur ka reshje të shiut ata e presin me frikë, kjo pasi gjithmonë kur reshjet janë të shumta, përfundojnë nëpër oborret dhe bodrumet e shtëpive të tyre.

Qytetar
“Prej kanalizimit, është zënë kanalizimi prej rrugicës edhe prej atje pastaj ka depërtu në bodrumin tim… Disa gjëra ka bërë dëm, normal…. Para dy tre muajve që ishte shiu, para një muaj a sa ishte, edhe atëherë njësoj ndodhi, edhe me motor e nxjerrëm ujin. Duhet të rregullohet se secilën herë që bëhet këtu, në të gjithë mahallën mbushet uji”.

Qytetar
“Kur po bjen shi e kemi shumë problem, kemi problem tashmë një kohë të gjatë se ka vërshime. Ky kanalizim është rregulluar në vitin 1970 apo 71, kam qenë shumë i vogël, e mbaj mend, kur janë rregulluar kanalizimi ka qenë shumë i vogël, edhe tash normalisht për 40-50 vite janë ndërtuar më shumë shtëpi.. Për shembull vjen prej gjithandej dhe gjithmonë kemi probleme, jo vetëm tek ne, te rruga e plastikave, mëhalla më poshtë, Xhon Kenedi e gjithandej, e nuk ka fuqi kanalizimi. Duhet të rregullohet kanalizimi më gjërë, asfalti, kemi nevojë shumë sende me rregullu”.

Ata kërkojnë nga autoritetet që ta rregullojnë çështjen e kanalizimit, pasi sipas tyre ky problem është me vite dhe askush nuk ka ndërmarrë asnjë hap për përmirësimin e situatës.

Qytetar

“Kërkojmë nga Qeveria e ardhshme që mos ta harrojnë Çairin, të mos i harrojnë banorët e lagjes Serovë, çdoherë ka probleme në këtë lagje, çdoherë kemi probleme edhe për personat me nevoja të veçanta edhe shi kur bje, probleme kemi çdoherë, njëherë e përgjithmonë kjo punë duhet të rregullohet. Mos ta zgjasin vetëm e vetëm kur të vijnë votimet, të vijnë t’i rregullojnë rrugët, por t’i rregullojnë, se institucionin që e merr është amanet, që 4 vite me rradhë të jetë afër qytetarëve në çdo lagje”.

Reshjet e dendura të shiut që përfshinë kryeqytetin gjatë ditës së djeshme shkaktuan dëme të mëdha në shumë pjesë të Shkupit. Më të prekura ishin Lagjja Serava, Gazibaba, lagjja Dizhon dhe Bulevardi Nikolla Karev, e njohur si Rruga e Plastikave./SHENJA/