Veriu pa eufori pas zgjedhjeve: “Vetëm të ketë paqe dhe liri”

Ndërsa ecën me nxitim në rrugët e Mitrovicës së Veriut, një banor rreth të 60-ave lëviz duart me mllef, kur i kërkohet nga ekipi i Radios Evropa e Lirë që të komentojë rikthimin e kësaj komune nën udhëheqjen e serbëve, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë aty.

Më pas ndalet, kthehet dhe thotë: “Ne jemi një popull i shkatërruar, na kanë shkatërruar të gjithë dhe Beogradi na ka tradhtuar. E kuptoni…”.

Ai nuk dëshiron të flasë publikisht për pakënaqësitë e tij, por kur kamera dhe mikrofoni janë të fikur, tregon se ka humbur shpresën dhe nuk beson më në ndryshime pozitive.

Në javën pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, mes disa banorëve të tjerë të Mitrovicës së Veriut, në vend të euforisë dhe optimizmit, mbizotëron heshtja dhe dyshimi.

Gjatë katër vjetëve të ardhshëm, kjo komunë, si dhe tri të tjerat me shumicë serbe në veri – Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku – do të udhëhiqen nga Lista Serbe, e cila rreth tre vjet më parë i braktisi institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me vendimet e Qeverisë në Prishtinë.

Në dy raste, kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë, me mbështetje edhe nga Beogradi – u kërkoi mbështetësve të saj t’i bojkotonin zgjedhjet, gjë që u mundësoi kryetarëve shqiptarë të merrnin pushtetin.

“Vetëm të ketë paqe”

Një nga të rrallët që pranon të flasë publikisht, është një banore e Mitrovicës së Veriut, e cila thotë se e thërrasin Muna. Por, ajo nuk dëshiron të tregojë emrin e plotë dhe mbiemrin.

“Të ketë vetëm paqe, ndoshta atëherë do të jetë pak më mirë. Vetëm të ketë paqe dhe liri”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Muna nga Mitrovica e Veriut.
Muna nga Mitrovica e Veriut.

E, për një jetë më të mirë thotë se nevojiten punë dhe “pak më shumë para”.

“Kjo nuk është jetë, kjo është vetëm mbijetesë. Çfarë të bëj me 25.000 dinarë (rreth 220 euro)?”, pyetet Muna.

Pensionin e merr në Serbi, pasi autoritetet e Kosovës e hoqën nga përdorimi dinarin serb, si mjet pagese, dhe mbyllën Postën e Serbisë me arsyetimin se aktiviteti i saj ishte i paligjshëm.

Rrugët e Mitrovicës së Veriut.
Rrugët e Mitrovicës së Veriut.

Kjo është vetëm një nga arsyet për të cilat pjesëtarët e komunitetit serb janë të pakënaqur.

Institucione të tjera serbe u mbyllën gjithashtu, ndërsa në vend të tyre u hapën ato të Kosovës.

Autoritetet lokale i morën edhe objektet në pronësi të tyre, ndërsa Agjencia e Privatizimit e Kosovës u dha me qira disa lokale biznesmenëve shqiptarë.

Megjithatë, shumica e serbëve i bojkotojnë dyqanet, restorantet apo ëmbëltoret e reja, sepse ndiejnë se “u imponohen gjëra pa pëlqimin e tyre”.

“Të kthehen institucionet serbe”

Millenkoja nga Mitrovica e Veriut beson se ardhja në pushtet e Listës Serbe mund të sjellë edhe kthimin e institucioneve serbe në veri të Kosovës.

Sipas tij, kjo çështje duhet të jetë prioriteti kryesor i kryetarit të ri të komunës.

Millenkoja nga Mitrovica e Veriut.
Millenkoja nga Mitrovica e Veriut.

Beogradi zyrtar nuk i mbylli institucionet e veta në Kosovë, por vetëm i zhvendosi në qytetet kufitare brenda territorit të Serbisë.

Punonjësit, gjithashtu, vazhdojnë të paguhen.

“Pres disa ndryshime, që të bëhet më mirë për popullin serb që të mbijetojë në Kosovë; nëse nuk ka ndryshime, populli serb do të largohet nga Kosova”, thotë Millenkoja.

Dragojlloja, në anën tjetër, nuk beson se pushteti i ri lokal do të sjellë përmirësime.

“Kështu do të mbetet. Asnjë vendim i marrë nuk mund të ndryshohet”, thotë ai dhe shton: “Zoti na ndihmoftë”!

“Ne, me ta [shqiptarët] nuk kemi pasur kurrë probleme. Gjithçka bëjnë autoritetet”, sipas tij.

Dragojlloja nga Mitrovica e Veriut.
Dragojlloja nga Mitrovica e Veriut.

“Një mësim i mësuar, i dëmshëm për komunitetin serb”

Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Aktiv” nga Mitrovica e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e fundit lokale, shënoi përfundimin e periudhës së bojkotimit, duke i hapur rrugë “rishikimit të vendimeve të dëmshme”.

Miodrag Milliqeviq.
Miodrag Milliqeviq.

Ligji për vetëqeverisjen lokale në Kosovë parashikon që një vendim ose akt tjetër i një komune, që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, mund të rishikohet nga një organ mbikëqyrës – në këtë rast, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ose një institucion tjetër përgjegjës i Qeverisë së Kosovës.

Milliqeviq thotë se dalja e serbëve nga institucionet e Kosovës dhe bojkotimi i tyre, ka qenë “një mësim i mësuar, i dëmshëm për komunitetin serb”.

Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, Lista Serbe pranoi gabimin e largimit nga institucionet, duke sqaruar se ai ishte marrë për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar mbi “gjendjen e vështirë” të serbëve.

“Radhën e ka tani vlerësimi i gjithë dëmit që ka shkaktuar administrata lokale në largim, në veri të Kosovës. Po ashtu, prioritet do të jenë vendimet që adresojnë çështjet lokale, të rëndësishme për komunitetin serb”, thotë Milliqeviq.

Mitrovica e Veriut.
Mitrovica e Veriut.

Ai thekson se, deri më tani, nuk ka pasur bashkëpunim të mirë mes komunave të udhëhequra nga serbët dhe Qeverisë së kryesuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Sipas tij, është e vështirë të parashikohet një bashkëpunim i suksesshëm në të ardhmen, nëse institucionet e reja kosovare do të udhëhiqen sërish nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.

Andaj, thotë se pret veprime më të përgjegjshme të komunitetit ndërkombëtar.

“Nuk presim që ata të udhëheqin politikën lokale, por nëse ekziston një qëndrim i unifikuar dhe ai qëndrim transmetohet tek autoritetet qendrore, duhet të jetë një mesazh i qartë se çfarë duhet bërë. Prioritet për komunitetin serb mbetet stabilizimi i situatës dhe realizimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që pritet prej kohësh”, thotë Milliqeviq.

Ky asociacion është pjesë e një marrëveshjeje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai pritet të rregullojë pozicionin e komunitetit serb, financimin nga Serbia dhe çështje të ngjashme./REL