Veriu i bllokuar sot nëntë ditë

Sot është dita e nëntë që kur protestuesit serbë kanë bllokuar rrugët në Jarinjë dhe Bërnjak. Kjo si pasojë e vendimit të Qeverisë për të zbatuar marrëveshjen e arritur për targat në Bruksel.

Nata e mbrëmshme ka kaluar pa incidente, teksa është raportuar që ka pasur autobus me qytetarë nga Serbia që kanë zbarkuar në orët e mesnatës në veri.

Dje KFOR-i ka bërë patrullime nga afër të pikave ku po protestohet dhe po qëndron Njësia Speciale e Kosovës. KFOR ka qëndruar gjithë natë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

“Po monitorojnë nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe se kanë rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë veriun”, thuhej në një njoftim të KFOR-it.

Ndryshe, BE konfirmoi takimin e negociatorëve kryesorë të Prishtinës dhe Beogradit, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, të mërkurën në Bruksel.