Vendoset pllakë shënjuese për rastin ”Panda”, Kurti: Edhe Vuçiq e pranon se shqiptarët s’e kryen krimin

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vizituar sot në Pejë, vendin e krimit në të cilin ishin vrarë gjashtë të rinjë serbë, më 14 dhjetor të vitit 1998.

Për këtë rast të inskenuar nga autoritetet serbe, u burgosën gjashtë të rinj shqiptarë të pafajshëm, të cilët u maltretuan rëndë nga policia serbe, transmeton klankosova.tv.

Kurse sot, edhe pas 25 vjetësh, Kurti shkruan se autorët e vërtetë të këtij krimi mbeten të pandëshkuar, anise siç thekson edhe vet Vuçiq e pranon se këtë krim s’e kryen shqiptarët.

”14.12.1998: Serbia vret 6 të rinj serbë në kafenenë “Panda” të Pejës dhe fajëson shqiptarët si pretekst për një fushatë gjenocidale në Kosovë. Qindra janë arrestuar dhe torturuar—për një krim që edhe Vuçiq pranon se “shqiptarët nuk e kanë kryer”. Pas 25 vitesh, autorët mbeten të pandëshkuar”, shkruan Kurti.

E në 25 vjetorin e rastit “Panda” është vendosur pllaka shënjuese, në lokalin që në tetor të këtij viti Ministria e Kulturës e ka përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.