Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e “dënon” edhe Albin Kurtin, ai nuk ka të drejtë të kandidojë për deputet

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ua pamundëson Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit, Faton Topallit e shumë të tjerëve që ishin dënuar për vepra penale dhe me kusht, të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Miftaraj përmes një postimi në Facebook, tha se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e ka një hile të madhe.

” Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli e shumë tjerë të dënuar për vepra penale edhe me kusht nuk do të mund të kandidojnë në zgjedhjet që do mbahen në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm.Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e ka një hile të madhe”, ka shkruar Miftaraj.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar vitit 2018 kishte shpallur fajtorë katër deputetët e Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, për dy veprat penale, atë të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, veprime këto që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.