Vendet e zbrazura të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në Eurodrejtësi: Dhuratë për krimin e organizuar

Në Ballkanin Perëndimor, lufta kundër krimit të organizuar nuk fillon dhe mbaron më në kufijtë shtetërorë. Krimi financiar, kontrabanda e drogës dhe trafikimi i migrantëve, tre tregjet më të dëmshme të paligjshme në rajon, sipas Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, funksionojnë gjithnjë e më shumë në më shumë vende dhe, shpesh, në më shumë kontinente, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Prokurorët kombëtarë për lidhje në Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, e njohur më mirë si Eurodrejtësia (Eurojust), luajnë një rol të rëndësishëm në përgjigjen ndaj këtij kërcënimi transnacional. Roli i tyre nuk është simbolik ose thjesht administrativ. Ata sigurojnë një lidhje të drejtpërdrejtë midis prokurorëve kombëtarë dhe platformës kryesore të BE-së për koordinim gjyqësor.

Duke i njohur këto përfitime, katër vende të Ballkanit Perëndimor kanë emëruar prokurorë për lidhje me Eurodrejtësinë në periudhën midis viteve 2017 dhe 2021.

Në rastet komplekse ndërkufitare suksesi nuk varet vetëm nga ekspertiza ligjore, por edhe nga besimi, koha dhe koordinimi i drejtpërdrejtë.

Prokurorët për lidhje ndihmojnë që provat e mbledhura jashtë vendit të shkëmbehen dhe përdoren shpejt në gjykatat vendase. Me mbështetjen e Eurodrejtësisë kjo mund të zgjasë me muaj në vend se të zgjasë me vite, siç është rasti me procedurat standarde të ndihmës së ndërsjellë ligjore.

Të dhënat e Eurodrejtësisë, në tabelën më poshtë, tregojnë se Shqipëria dhe Serbia i kanë përdorur intensivisht këta prokurorë në Eurodrejtësi.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk. Burimi: Prizma.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk. Burimi: Prizma.mk

Ato nuk janë thjesht statistika në letër, por tregues të rezultateve konkrete operative. Në maj të vitit 2025 një ekip i mbështetur nga Eurodrejtësia i ndihmoi autoritetet serbe të arrestonin pesë të dyshuar të lidhur me dërgesa droge prej të paktën 1,6 tonësh. Në shkurt të vitit 2025 një operacion tjetër çoi në 12 arrestime dhe sekuestrimin e më shumë se 680.000 kartëmonedhave euro të falsifikuara në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Megjithatë, gjashtë vjet pasi Serbia dhe shtatë vjet pasi Maqedonia e Veriut filloi ta forconte bashkëpunimin e saj me Eurodrejtësinë, të dy vendet i humbën prokurorët e tyre për lidhje.

Kjo është më shumë sesa një ndryshim kadrovik.

Kur lidhjet me Eurodrejtësinë dobësohen ose shkëputen, reagimi ndaj krimit të organizuar bëhet më i ngadaltë dhe më pak efektiv, duke u dhënë grupeve kriminale më shumë hapësirë ​​për të vepruar përtej kufijve.

Në Serbi, autoritetet dështuan të siguronin vazhdimësinë e këtij mekanizmi, i cili është thelbësor për hetimet e ndjeshme ndërkombëtare, duke mos e zgjatur mandatin e prokurorit dhe duke mos emëruar një pasardhës në kohë për një pranim-dorëzim të rregullt të funksionit.

Në Maqedoninë e Veriut, prokurori për lidhje dha dorëheqje, duke e përmendur presionin më të gjerë politik si arsye për dorëheqjen.

Rrethanat nuk janë identike, por modeli më i gjerë është i vështirë për t’u injoruar. Në të dy vendet është cenuar një mekanizëm funksional për bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar në rrethana të formësuara, të paktën pjesërisht, nga politika.

Në Serbi Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili është përgjegjës për emërimin, ngritjen në detyrë dhe disiplinimin e prokurorëve, pavarësisht pavarësisë së tij formale, konsiderohet i nënshtruar ndaj presionit politik.

Ai nuk arriti as ta vendosë emërimin e një prokurori të ri në rendin e ditës, sepse nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme prej dy të tretave. Duke e pasur parasysh përbërjen e Këshillit, me pesë nga 11 anëtarët e tij që vijnë nga jashtë profesionit të prokurorit dhe polemikat më të gjera mbi ndikimin politik në emërimet e prokurorëve, kjo rrugë qorre vështirë se mund të shihet vetëm si procedurale.

Në Maqedoninë e Veriut dimensioni politik është më eksplicit.

Prokurorja për lidhje, Lençe Ristoska, dha dorëheqje pasi u hoq nga dy raste të profilit të lartë që lidhen me financimin e dyshuar të paligjshëm të partisë në pushtet VMRO-DPMNE.

Ajo e përshkroi largimin e saj si kulmin e një modeli më të gjerë të presionit politik pas muajsh sulmesh publike dhe refuzimit të kërkesës së saj për mbrojtje institucionale. Dorëheqja e saj ngre pyetje serioze jo vetëm për pavarësinë e prokurorisë, por edhe për qëndrueshmërinë më të gjerë të institucioneve gjyqësore.

Një hap prapa në betejë

Ky nuk është vetëm një lëshim administrativ, por një hap prapa institucional në luftën kundër krimit të organizuar. Dëmi nuk është abstrakt.

Eurodrejtësia është bërthama qendrore për bashkëpunimin gjyqësor në BE, duke lidhur prokurorët me kanale të sigurta, takime koordinatave dhe një rrjet që përfshin më shumë se 70 vende të botës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme aty ku bashkëpunimi dypalësh është më i ngadaltë ose më i dobët, duke përfshirë rastet e trafikimit të drogës, të cilat arrijnë deri në Amerikën Latine.

Është gjithashtu e rëndësishme sepse Eurodrejtësia ndihmon në shndërrimin e informacionit ndërkufitar në prova që mund të përdoren në kohën e duhur në gjykatat vendase, në vend që çështjet të ngecin në procedura më të ngadalta të ndihmës juridike të ndërsjellë.

Humbja praktike është edhe më e madhe në hetimet e përbashkëta.

Eurodrejtësia mbështet dhe financon ekipe të përbashkëta hetimore, duke mbuluar shpenzimet kryesore ndërkufitare, siç janë udhëtimi dhe akomodimi, interpretimi dhe përkthimi, transporti i sendeve të sekuestruara, ekzaminimet mjeko-ligjore dhe ekspertiza e specializuar, duke e zvogëluar kështu presionin mbi buxhetet kombëtare.

Pa një prokuror të tillë vendet humbasin jo vetëm shpejtësinë dhe qasjen e besueshme, por edhe një pjesë të kapacitetit praktik të nevojshëm për t’i përdorur këto mjete në mënyrë efektive.

Rivendosja e kapacitetit prokurorial në Eurodrejtësi nuk do të ndodhë së shpejti.

Në Serbi procesi është veçanërisht i ekspozuar ndaj bllokimit. Sipas marrëveshjes së vitit 2019 me Eurodrejtësinë, pozicioni duhet të ushtrohet nga një prokuror, ndërsa emërimi është përgjegjësi e Këshillit të Lartë të Prokurorëve, të cilit i është dhënë një rol qendror në emërimet e prokurorëve pas reformave gjyqësore në vitin 2023.

Në praktikë kjo do të thotë se duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretash në një organ të ndarë: nga njëra anë, anëtarë të zgjedhur nga radhët e prokurorëve, së bashku me Kryeprokurorin Publik, dhe nga ana tjetër, anëtarë të zgjedhur nga parlamenti, së bashku me ministrin e drejtësisë.

Këshilli ka dëshmuar tashmë se sa lehtë mund të ngecet kjo punë, sepse nuk arriti as ta vendosë çështjen në rend të ditës. Prandaj rivendosja e vazhdimësisë do të varet jo vetëm nga gjetja e një kandidati, por edhe nga sigurimi i marrëveshjes midis palës prokuroriale dhe asaj politike të Këshillit.

Në Maqedoninë e Veriut procedura formale është më e thjeshtë, pasi ministri i drejtësisë e emëron prokurorin për lidhje me propozimin e Prokurorisë Publike. Në parim kjo duhet të jetë një procedurë rutinë. Megjithatë, në praktikë, kjo lë hapësirë ​​për vonesë nëse nuk ka marrëveshje midis prokurorisë dhe pushtetit ekzekutiv politik.

Edhe pas një emërimi të ri vazhdimësia nuk mund të vendoset brenda natës. Një prokurori të ri duhet t’i jepet qasje sigurie, t’i mësojë metodat e punës së Eurodrejtësisë dhe të rindërtojë kontaktet dhe besimin operativ. Kjo mund të zgjasë shumë muaj.

Prishja e bashkëpunimit është më e madhe sepse as Serbia dhe as Maqedonia e Veriut nuk kanë një asistent në këtë pozicion, i cili do ta siguronte vazhdimësinë e përditshme dhe do ta mbushte hendekun deri sa të emërohet dhe vendoset një pasardhës.

Si një masë e përkohshme të dy vendet mund të mbështeten më shumë në pikat e kontaktit, të cilat janë krijuar për të mbajtur lidhje të shpejta me Eurodrejtësinë – dhe pika e kontaktit duhet të jetë prokuroria, jo qeveria.

Por kjo do të ishte vetëm një zgjidhje e pjesshme. Dëmi tashmë është bërë.

Përvoja e Eurodrejtësisë në Ballkanin Perëndimor tregon se bashkëpunimi bëhet dukshëm më aktiv dhe efektiv pasi një vend të ketë një prokuror për lidhje.

Një pikë kontakti mund të ndihmojë në shmangien e një vakumi të plotë në bashkëpunim, por nuk mund ta zëvendësojë shpejtësinë, vazhdimësinë dhe qasjen operative që mund ta ofrojë vetëm një prokuror për lidhje.