Vendet e vogla të BE-së po bëjnë hapa të mëdhenj në prodhimin e armëve

Pushtimi rus i Ukrainës ka shtyrë edhe vendet më të vogla anëtare të Bashkimit Evropian të zhvillojnë industri mbrojtjeje vendase, të teknologjisë së lartë, ashtu siç domosdoshmëria e ka bërë Kievin një lider botëror në teknologjinë më të avancuar të mjeteve ajrore pa pilotë. Shumë vende të BE-së kanë bashkëpunuar me Kievin për ta zhvilluar këtë teknologji, dhe vijat e frontit në Ukrainë shpesh shërbejnë si terren testimi për to.

Ekziston mundësia që zhurma e frikshme e helikave që dëgjohet në fushëbetejat e Ukrainës të vijë nga dronë të ndërtuar nga Qiproja,  një vend me pak më shumë se një milion banorë në skajin juglindor të Evropës.

Prodhuesi “Swarmly” thotë se më shumë se 200 nga dronët e tij “H-10 Poseidon” po ndihmojnë bateritë e artilerisë ukrainase t’i identifikojnë objektivat armike në tokë në çdo lloj moti, duke grumbulluar mbi 100 mijë orë fluturimi gjatë tre vjetëve të fundit.

Fabrika e tij prej 5.000 metrash katrorë është shndërruar në një burim të rëndësishëm mjetesh pa pilot të dërguara në vende si Indonezia, Benini, Nigeria, India dhe Arabia Saudite, sipas zyrtarëve të kompanisë. Pjesa më e madhe e dyshemesë së fabrikës është e rezervuar për prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot. Por, e fshehur në një zonë magazinimi të sigurt ndodhet një përzgjedhje e dronëve detarë super të shpejtë të “Swarmlyt”, të pajisur me kamera me definicion të lartë dhe mitraloza të kalibrit .50.

Pushtimi rus i Ukrainës ka shtyrë edhe vendet më të vogla anëtare të Bashkimit Evropian të zhvillojnë industri mbrojtjeje vendase, të teknologjisë së lartë, ashtu siç domosdoshmëria e ka bërë Kievin një lider botëror në teknologjinë më të avancuar të mjeteve ajrore pa pilotë. Shumë vende të BE-së kanë bashkëpunuar me Kievin për ta zhvilluar këtë teknologji, dhe vijat e frontit në Ukrainë shpesh shërbejnë si terren testimi për to.

Ashtu si Qiproja, vendet baltike dhe Danimarka kanë përshpejtuar zhvillimin e teknologjive vendase të dronëve dhe kundërdronëve. Në Greqi, dronët janë pjesë e një programi prej 25 miliardë eurosh për modernizimin e forcave të saja të armatosura.

“Shembulli i ‘Swarmlyt’, si dhe i kompanive të tjera të rëndësishme të bazuara në vende të vogla të BE-së, është një dëshmi e përpjekjes serioze që po bën sektori privat në Evropë për të inovuar dhe për të ndërtuar kapacitete të prodhimit masiv të pajisjeve të mbrojtjes, përfshirë sistemet pa pilotë”,  tha Federico Borsari, ekspert në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane me seli në Washington.

Shumëzues force

UAV-të po riformësojnë luftën duke u ofruar vendeve më pak të fuqishme ushtarakisht njëfarë avantazhi ndaj kundërshtarëve më të fortë. Dronët nuk do t’i zëvendësojnë plotësisht armët e shtrenjta si tanket, artilerinë dhe avionët luftarakë, tha Borsari. Por, ato ofrojnë fleksibilitet dhe shumë efekt për koston, duke i bërë shumëzuese të frikshëm force.

Merrni për shembull dronin detar “Hydra” të “Swarmlyt”, të mbushur me eksploziv dhe të drejtuar me satelit. Secili kushton 80 mijë euro, që do të thotë se përdorimi i një grupi të tillë për të neutralizuar një anije luftarake që kushton një miliard euro mund të jetë një pazar i mirë, tha drejtori i kompanisë, Gary Rafalovsky.

Kjo armë detare, që shkatërron një anije shumë më të madhe, tashmë është parë në sulmet e Houthive nga Jemeni, sipas Fabian Hinz, studiues për teknologjitë e raketave dhe UAV-ve në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Evropë.

Pengesa për hyrjen në treg për kompani me pak kapital janë të ulëta, shtoi ai, sepse UAV-të shpesh projektohen dhe montohen nga komponentë të lirë dhe lehtësisht të disponueshëm në tregun global.

“Kjo, sigurisht, do të thotë se në thelb nuk ke nevojë për një investim të madh industrial në fillim, siç kërkohet për kapacitete të tjera ushtarake. Nuk ke nevojë për dekada përvojë në shkenca të caktuara të materialeve apo gjëra të tilla”,  tha Hinz.

Hyrja në lojë

Në Danimarkë, dy kompani të fokusuara në pajisje kundërdronë kanë raportuar një rritje të ndjeshme të klientëve të rinj, dhe disa nga pajisjet do të dërgohen në Ukrainë për ta ndihmuar në bllokimin e teknologjisë ruse në fushëbetejë. Ukraina në shtator tha se po bashkëpunonte me kompani daneze për të ndërtuar komponentë raketash dhe dronësh në një fabrikë në Danimarkë.

Në Lituani, vend ky baltik, shkencëtarë dhe partnerë biznesi janë bashkuar nën emrin VILNIUS TECH për të zhvilluar UAV-e, zbulim të automatizuar të minave dhe teknologji të tjera ushtarake. Fabrika shtetërore e municioneve “Giraite” thotë se ka rritur kapacitetin e prodhimit me 50% që nga viti 2022.
Greqia për herë të parë shfaqi dronët e saj të prodhuar në vend dhe teknologjinë kundërdronëve gjatë një ushtrimi të plotë taktik në nëntor, ndërsa NATO i kërkoi sektorit evropian të mbrojtjes ta përshpejtojë ritmin.

“Na duhen kapacitete, pajisje, fuqi reale zjarri dhe teknologji më e avancuar”,  paralajmëroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një vizite në Rumani më herët atë muaj. “Sillni idetë tuaja, testoni zgjuarsinë tuaj dhe përdorni NATO-n si terrenin tuaj të provës”.

Edhe pse zhvillimi i dronëve po përshpejtohet, Borsari paralajmëroi se avantazhet e UAV-ve shpesh kufizohen nga variabla të shumta, si kushtet e vështira në të cilat fluturojnë ndonjëherë, trajnimi dhe aftësitë e operatorëve, si dhe thellësia e mbështetjes logjistike për t’i mbajtur funksionale.

Evropa kalon në modalitet mbrojtjeje

Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe mesazhet e përziera të administratës së Donald Trump në SHBA, që ka tendosur marrëdhëniet me aleatët e NATO-s, i kanë detyruar udhëheqësit evropianë të përballen me nevojën për t’u bërë më të pavarur në mbrojtje. Për këtë arsye, BE-ja ka vënë në dispozicion miliarda euro për të inkurajuar investimet dhe për ta forcuar aftësinë e saj kolektive parandaluese.

Kjo ka qenë një nxitje për vende si Qiproja, e cila mori presidencën gjashtëmujore të BE-së më 1 janar. Javën e kaluar, krahu ekzekutiv i BE-së miratoi ndihmë financiare për tetë anëtarë, përfshirë Spanjën, Kroacinë, Portugalinë, Bullgarinë, Belgjikën, Rumaninë dhe Qipron.

Qiproja pritet të marrë miratimin përfundimtar nga udhëheqësit e BE-së për rreth 1.2 miliardë euro në kredi afatgjata me kosto të ulët, në kuadër të programit të përbashkët të prokurimit prej 150 miliardë eurosh të quajtur Veprimi i Sigurisë për Evropën (SAFE).

Industria e saj e re e mbrojtjes tashmë përbëhet nga rreth 30 kompani dhe qendra kërkimore që prodhojnë teknologji si për sektorin civil ashtu edhe për atë ushtarak, përfshirë robotikën, rrjetet e komunikimit, sistemet kundërdronëve dhe madje edhe komunikimet dhe mbikëqyrjen satelitore, tha Panayiotis Hadjipavlis, shef i drejtorisë për zhvillimin e armatimeve dhe kapaciteteve të mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes së Qipros.

“Kemi kapacitete të specializuara në produkte shumë të avancuara në aspektin teknologjik dhe kjo duhet të merret seriozisht në konsideratë”, i tha Hadjipavlis agjencisë AP nga zyra e tij, ku helmeta nga ditët e tij si pilot luftarak varej në një varëse rrobash aty pranë.

Ai shtoi se edhe lojtarët kryesorë të industrisë së mbrojtjes duhet ta kenë parasysh këtë.