Para kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, kryekuvendarit Glauk Konjufca, ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kandidatit të VV-së, për Prishtinën, Aben Vitia, e zyrtarëve tjerë të partisë që gjendeshin aty, ajo ka kërkuar të dijë nëse po punohet për zbardhjen e këtij rasti, që ajo e quajti vrasje.
Laura u ankua se ministri Sveçla nuk e ka pritur në takim, as nuk i ka kthyer përgjigje, megjithëse ka kërkuar disa herë.
“Po ju pyes juve dhe zotëri Sveçlën, vëllai im Luan Berisha zyrtar i lartë në Doganë u vra në oborr të Doganës më 17 prill dhe nuk e kemi asnjë përgjigje deri tash. Kemi kërkuar takim, na keni injoruar dhe nuk kemi asgjë deri tash, dhe desha të ju pyes, a jeni duke e luftuar krimin siç na keni premtuar apo jo”, ka thënë ajo.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i tha se po kryhen hetime.
“Jemi duke e luftuar dhe organet e rendit janë duke u marrë me gjitha këto dhe merren”, tha Murati.
Ajo insistoi se nuk ka marrë asnjëherë përgjigje për rastin e vëllait të saj.
“Asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje, asnjëherë, asnjëherë. Ju kemi votuar për me luftu krimin, vëllai im u vra më 17 prill në oborr të doganës dhe nuk kemi përgjigje që gjashtë muaj e gjysmë dhe na keni injoruar totalisht”, deklaroi ajo dhe u largua.