Philonise Floyd, vëllai i afroamerikanit të vrarë nga polici, gjë që shkaktoi protesta masive dhe trazira përgjatë Amerikës, deklaroi se ka biseduar si me presidentin Donald Trump, ashtu edhe me kandidatin presidencial Joe Biden, por se biseda me Trump ishte “shumë e shpejtë”.
“Ai nuk më la mundësinë as të flas, ishte rëndë. U përpoqa të bisedoj por ai vazhdimisht, disi më refuzonte” deklaroi Floyd mbrëmë për MSNBC.
Ai shtoi se nga presidenti kishte kërkuar drejtësi, “i thashë se nuk mund të besoj se ata bënë linçim modern në mes të ditës”.
Floyd tregoi se në bisedën me Joe Biden, kishte kërkuar që kandidati demokratik presidencial të sjellë drejtësi për vëllanë e tij.
Presidenti Trump dje në Shtëpinë e Bardhë shprehu keqardhje të thellë për vdekjen e George Floyd .
“Fola me anëtarë të familjes së tij, njerëz të shkëlqyer”, deklaroi Trump, por nuk iu përgjigj thirrjes që të zbulojë hollësi nga biseda me vëllanë e George Floyd.