Veliu: Mësimdhënësit s’do marrin paga as në nëntor, Qeveria Kurti, qeveri e ndëshkimit

Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka vlerësuar Qeverinë Kurti si qeveri të ndëshkimit, pas grevës në sektorin publik.

Ai tha se kryeministrit Kurti me kabinetin e tij, qëllimisht iu shmang dialogut dhe ndërprerjes së grevës në arsim me qëllim, sipas tij, që t’i tregojnë “muskujt” karshi mësimdhënësve.

“Ndodhi ajo që edhe mund të pritej, qeveria e mashtrimit ndëshkoi mësimdhënësit dhe duke mos ua procesuar pagat, i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje”.

“Në kohën e inflacionit më të lartë që nga paslufta, ngritjes enorme të çmimeve dhe kur qeveria e mashtrimit po paralajmëron dimër të rëndë energjetik, shumica e mësimdhënësve nuk do të marrin paga as në nëntor”, është shprehur Veliu, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se pagat e mësimdhënësve do të jenë peng i bankave, pasi sipas tij, ata do të paguajnë dy këste të kredistë e me kamata ndëshkuese.

“Prandaj, më shumë se kurrë nevojitet reagim dhe presion opozitar e qytetar mbi qeverinë e mashtrimit që pagat e mësimdhënësve të procesohen menjëherë”, shtoi Veliu, përcjell Klankosova.tv.