Ekipet e “Elektrodistribuimi” kanë zbuluar një rast serioz të lidhjes ilegale në rrjetin elektrik në një hotel me katër yje që ndodhet në rrugën “Luj Paster” në qendër të Shkupit.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të kompanisë në Facebook, gjatë një kontrolli teknik në një ndërtesë banimi ngjitur me hotelin, janë gjetur tre kabllo të paligjshme dhe të djegura, si pasojë e mbingarkesës së madhe. Kabllot janë shkëputur menjëherë, pasi paraqisnin rrezik të madh për zjarr.
Gjatë kontrollit shtesë është konstatuar se hoteli ishte rilidhur përsëri në njërin nga kabllot ilegale, ndërsa ekipet janë penguar në kryerjen e detyrës gjatë hyrjes në objektin hotelier.
Rasti është dokumentuar dhe ndaj hotelit është paraqitur kallëzim për lidhje ilegale në rrjet dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm nga zjarri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, njoftoi kompania.
 
		



