Vdes ish-nënpresidenti amerikan, Dick Cheney

Dick Cheney, forca shtytëse mbrapa pushtimit amerikan në Irak më 2003, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.

Ai është përshkruar nga historianët si njëri prej nënpresidentëve më të fuqishëm në historinë amerikane.

Familja e tij ka bërë të ditur të martën se ai ka vdekur më 3 nëntor nga komplikimet e pneumonisë dhe sëmundjet kardiake dhe vaskulare.

Cheney i Partisë Republikane – dikur edhe kongresist i Uajominut dhe Sekretar i Mbrojtjes – ka qenë figurë shumë e rëndësishme në Uashington kur George W. Bush, e ka zgjedhur të jetë kandidati me të cilin do të garonte për garën presidenciale të vitit 2000, të cilat e pati fituar.

Si nënpresident prej vitit 2001 deri më 2009, Cheney ka luftuar për zgjerim të kompetencave të presidentit, duke thënë se ato ishin tkurrur dukshëm prej skandalit Watergate, i cili pati rezultuar me largimin e ish-shefit të tij, Richard Nixon prej pushtetit.

Cheney i ka zgjeruar edhe kompetencat e zyrës së nënpresidentit, duke e bërë bashkë ekipin për siguri kombëtare, që shpesh ka shërbyer si qendra kryesore brenda një administrate.

Ai ka qenë mbështetës i madh i pushtimit të Irakut më 2003 dhe ka qenë në mesin e zyrtarëve të administratës së Bushit që ka paralajmëruar për rrezikun nga rezervat e dyshuara të armëve të shkatërrimit në masë të Irakut. Si përfundim, armë të tilla nuk u gjetën asnjëherë.

Cheney ka pasur probleme me zemrën në pjesën më të madhe të jetës, meqë me sulmet e para ishte përballur në moshën 37-vjeçare. Ai i ishte nënshtruar transplantit të zemrës më 2012./REL