Vdes ish-ministri i Jashtëm në Itali

Ish-ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini ka humbur jetën në moshën 65-vjeçare.

Frattini kishte disa vite që luftonte me kancerin dhe ndërroi jetë në një spital të Romës.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, shprehu ngushëllimet e tij në rrjetet sociale: “Me trishtim të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të Franco Frattinit, mikut të madh të shqiptarëve, i cili ideoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave të BE me vendet e Ballkanit Perendimor dhe ishte mbështetësi më i vendosur për kurorëzimin me sukses të këtij procesi historik sidomos për Shqipërinë. Frattini ishte një përkrahës i jashtëzakonshëm për anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin europian.

Ai e kuptonte rëndësinë e marrëdhënieve strategjike midis dy vendeve tona, ndaj u përkushtua për forcimin e tyre në të gjitha drejtimet. Ngushëllimet më të ndjera familjes Frattini, autoriteteve dhe popullit mik italian për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme që na pikëlloi të gjithëve”.