“Vdekje diktatorit”: Studentët iranianë protestojnë për ditën e tretë rresht

Studentët në disa universitete në Iran kanë mbajtur protesta për ditën e tretë radhazi pak më shumë se një muaj pas shtypjes së dhunshme të pakënaqësisë në protestat masive ku mbetën mijëra të vdekur.

Protestat e studentëve vijnë në kohën e tensioneve mes Iranit e Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni ka grumbulluar forca ushtarake dhe trysni në Lindjen e Mesme, kur po negocion me Teheranin për programin bërthamor. Rundi i ri i bisedimeve pritet të zhvillohet të enjten në Gjenevë. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se “gjëra vërtet të këqija do të ndodhin”, nëse nuk arrihet një marrëveshje, shkruan gazeta “The Guardian”.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, tha të hënën se vendi i tij do të hakmerrej “me egërsi” ndaj çfarëdo sulmi.

Protestat të hënën u shpërndanë në disa kampuse, përfshirë Universitetin Al Zahra në Teheran, ku studiojnë vetëm vajzat dhe gratë dhe ku protestueset brohoritën slogane anti-qeveritare dhe një flamur iranian u dogj. Sidoqoftë, protesta nuk u zhvendos në rrugë.

Një kanal në rrjetin “Telegram” për studentët iranianë, “Anjmotahed”, tha se nga një sulm nga grupi militant Basij, që mbështetet nga shteti, në Universitetin Sharif në Teheran mbetën të lënduar disa studentë dhe një autoambulancë arriti në kampus. Universitetet u kanë dërguar mesazhe studentëve duke i paralajmëruar për pasoja disiplinore.

Në përpjekje për t’u tallur me liderin suprem, Ayatollah Ali Khamenei, disa studentë u ngjitën në drurë në kampus dhe në degë varën minj lodra – një mënyrë për të thënë se ai po fshihet nën tokë si mi. Në raportime thuhet se studentët brohoritën “vdekje diktatorit”, “për secilin që vritet do të pasojnë një mijë” dhe “gjaku që është derdhur nuk do të lahet kurrë”.