Vdekja e Navalnyt, “hakmarrja” e SHBA ndaj Rusisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të njoftojnë në ditët e ardhshme një paketë të re sanksionesh, me masa më të ashpra ndaj Rusisë, pas vdekjes në burgut siberian të liderit të opozitës të këtij vendi Alexei Navalny.

Lajmi u dha nga vetë presidenti Joe Biden, i cili nuk zbuloi më shumë detaje se në çfarë konsistonin sanksionet e reja ndaj regjimit të Putin.

Më herët, edhe zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby nuk pranoi të jepte detaje mbi sanksionet e reja, duke referuar për këtë politikat e qeverisë amerikane. Ai gjithashtu nuk pranoi të jepte informacion se si këto masa të reja do të zgjerohen tek sanksionet e ashpra që aktualisht Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë vendosur ndaj Rusisë.

Kirby tha se sanksionet, të cilat do të përkojnë me dy vjetorin e agresionit rus ndaj Ukrainës, do të plotësohen në mënyrë të veçantë me sanksione shtesë lidhur me vdekjen e zotit Navalny.

Ekspertët politikë kanë dalë me një numër propozimesh nëpërmjet të cilave synohet që Rusisë t’i shterojnë fondet monetare të nevojshme për vazhdimin e agresonit të saj, duke filluar nga konfiskimi i fondeve të Bankës Qendrore Kombëtare Ruse të depozituara kryesisht në Europë deri në uljen e tavanit të çmimit nga Grupi i të Shtatëve për naftën ruse.

Në një dokument zyrtar të muajt shkurt të Grupit Ndërkombëtar të Punës mbi Sanksionet Ruse të Universitetit Stanford kërkohet vendosja e sanksioneve dhe më të rënda mbi tregun energjetik rus, si ulja e tavanit të tanishëm të çmimit të naftës së prodhuar në Rusi nga 60 në 30 dollarë si dhe plotësim i masave për ndalimin nga ana e Bashkimit Europian dhe vendeve të G7 të blerjeve të hidrokarbureve ruse.