Vazhdon të ulet numri i lindjeve – natalitetit

Në Bashkimin Evropian në vitin 2024 kanë lindur 3,55 milionë foshnja, që paraqet një rënie prej 3,3% krahasuar me vitin 2023. Norma totale e fertilitetit në BE për vitin 2024 është 1,34 fëmijë të lindur gjallë për grua, më e ulët se 1,38 në vitin 2023, përcjell TV21.

Edhe në Maqedoninë e Veriut norma e fertilitetit në dhjetë vitet e fundit është në rënie, duke kaluar nga 1,52 në vitet 2004 dhe 2014, në 1,49 në vitin 2023 dhe 1,44 fëmijë për grua në vitin 2024.

Kjo normë është dukshëm nën nivelin 2,1 fëmijë për grua, që konsiderohet i nevojshëm për ripërtëritjen natyrore të popullsisë, çka tregon se Evropa dhe vendi ynë po përballen me sfida serioze demografike.

Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2024 norma më e ulët e fertilitetit në BE është regjistruar në Maltë – 1,01, ndërsa më e larta në Bullgari – 1,72.

Mosha mesatare e grave në BE kur lindin fëmijën e parë në vitin 2024 është 29,9 vjeç, duke u lëvizur nga 26,9 vjeç në Bullgari deri në 31,9 vjeç në Itali. Në Maqedoninë e Veriut, gratë fëmijën e parë e lindin mesatarisht në 27,8 vjeç.

Gratë gjatë dy dekadave të fundit po lindin fëmijën e parë gjithnjë e më vonë. Në vitin 2014 mosha mesatare ishte 26,6 vjeç, ndërsa në 2004 ishte 25 vjeç.

Në vitin 2024, pas Bullgarisë me normën më të lartë të fertilitetit (1,72), renditen Franca me 1,61 dhe Sllovenia me 1,52. Ndërkohë, normat më të ulëta janë regjistruar në Maltë (1,01)Spanjë (1,10) dhe Lituani (1,11).

Të dhënat e Eurostat tregojnë gjithashtu se në 2024 në BE kanë lindur pothuajse dy herë më pak fëmijë krahasuar me para gjashtë dekadash.

Në vitin 2024, në BE lindën 3,55 milionë fëmijë, që i korrespondon një norme bruto të natalitetit prej 7,9 lindje për 1.000 banorë. Për krahasim, kjo normë ishte 10,5 në vitin 200012,8 në 1985 dhe 16,4 në vitin 1970.

Edhe në Maqedoninë e Veriut numri i lindjeve ka rënë vazhdimisht:

  • 44.095 fëmijë në vitin 1960
  • 37.862 në 1970
  • 35.401 në 1990
  • 29.308 në 2000
  • 24.296 në 2010
  • 19.031 në 2020
  • dhe një rekord minimal prej 16.061 fëmijësh të lindur në vitin 2024.