Vazhdon rritja e infektimeve me virus, gjithsej 588 raste aktive, prijnë Shkupi, Tetova dhe Kumanova

Javëve të fundit dukshëm është rritur numër i të infektuarve me virusin korona. Nëse para një muaji kishim ditë me nga 4 raste të reja, ditën e parë të gushtit e nisëm me 72 raste për 24 ortë reja, 9 të shëruar dhe asnjë viktimë. Duke përfshirë edhe të dhënat e sotme, gjithsej kemi arritur në 588 raste aktive me Covid-19, ku pjesa më e madhe janë:

MË SHUMË RASTET AKTIVE:
Shkup 183
Tetovë 149
Kumanovë 71
Gostivar 45
Manastir 25

Ndërsa qytetet e tjera kanë më pak se 20 raste ose asnjë rast aktiv me Covid-19. Rritje të madhe të rasteve, ka parashikuar edhe mjeku Niko Beqarovski nga Klinika e Toksikologjisë. Thotë se pas 10 gushtit, do të ketë një rritje të pakontrolluar të të infektuarve. Fton kolegët e tij që të shijojnë këto ditë të mira që kanë mbetur, sepse përsëri do të kthehen nën skafandra dhe maska.

“Pas javës së nxehtë me temperatura të larta në vendin tonë, e cila do të zgjasë deri më 9 gusht, me temperatura deri në 44°С, nga 10 gushti pritet një rënie e temperaturave, por rritje e pakontrolluar e infektimeve të reja me virusin korona”, deklaroi Niko Beqarovski, drejtor i Klinikës së Toksilogjisë.

Se virusi po merr hov të ri e thotë edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

“Po e ndjekim me kujdes situatën edhe pse për momentin situata është e qetë, por është e mundur të ketë përkeqësim të gjendjes nëse trendi i rritjes së numrave vazhdon edhe më tutje”, tha ditë më parë Filipçe.

Ministri Filipçe, dje paralajmëroi se ka gjasa që do të ketë edhe variante të ndryshme të koronavirusit dhe se mund të rekomandohet edhe marrja e dozës të tretë të vaksinës anticovid.