Autoritetet e Kosovës i kanë vazhduar të enjten punët për rrënimin e ndërtimeve, për të cilat thonë se nuk kanë leje, pranë Liqenit të Ujmanit në veriun e banuar me shumicë serbe, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i policisë.
Rrënimi i shtëpive dhe hoteleve të ndërtuar në tokë publike, e cila administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, nisi javën e kaluar, kur u rrëzuan mbi 10 objekte.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i tha REL-it të enjten se policia po i ofron mbështetje “Ibër-Lepencit” dhe Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit në zbatimin e vendimit për rrënimet.
Gjatë aksionit të enjten u rrënua hoteli “Jezero”.
As Elshani e as autoritetet nuk kanë dhënë hollësi për numrin e objekteve që pritet të rrënohen gjatë këtij aksioni.
Për rrënimet në Ujman reagoi Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, e cila e akuzoi kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se me rrënimin e objektit privat të familjes Jakshiq afër Ujmanit, po ndjek një politikë të “shkatërrimit, uzurpimit dhe shkeljes së gjithçkaje që është serbe” në Kosovë.
Në reagimin e kësaj zyreje thuhet se aksioni i Policisë së Kosovës është kryer pa një vendim të formës së prerë të gjykatës, pasi kontesti gjyqësor i iniciuar nga familja Jakshiq është ende në zhvillim e sipër, teksa seanca është caktuar për 12 gusht.
Edhe kryediplomati serb, Marko Gjuriq, vlerësoi se Qeveria e Kurtit po tregon edhe një herë “mosrespektim të sundimit të ligjit dhe të të drejtave të serbëve të Kosovës”.
Gjuriq reagoi përmes një postimi në platformën X, duke kundërshtuar rrënimin e objekteve serbe pranë Liqenit të Ujmanit, pavarësisht proceseve gjyqësore në vazhdim dhe paralajmërimeve të Bashkimit Evropian.
Ai tha se Bashkimi Evropian, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe KFOR-i duhet të reagojnë me vendosmëri, në përputhje me mandatet e tyre.
Gjatë orëve të mëngjesit, me urdhër të ndërmarrjes Ibër-Lepenc, u rrënua moteli “Jezero” në Ujmanin, afër Zubin Potokut, pasi një ditë më parë kishte skaduar afati që kjo ndërmarrje u kishte dhënë banorëve për lirimin e pronës.
Vazhdimi i rrënimeve po ndodh me gjithë kundërshtinë nga pronarët e tyre dhe thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për pezullimin e tyre.
Për rrënimet e javës së kaluar, pronarët u ankuan se autoritetet kosovare nuk i kishin respektuar procedurat ligjore.
Branimir Mihajloviq nga Vushtrria, i cili tani jeton në Mitrovicën e Veriut dhe ka një shtëpi pushimi pranë Liqenit të Ujmanit, i kishte thënë më herët REL-it se në vitin 2006 e kishte marrë tokën në shfrytëzim për 99 vjet nga ndërmarrja publike serbe “Srbijašume” (“Pyjet e Serbisë” – Ndërmarrja për menaxhimin e pyjeve në Serbi) dhe se asaj i kishte paguar qiranë.
Ai ka thënë se tani është i gatshëm t’ia paguajë qiranë Kosovës dhe ta legalizojë shtëpinë e pushimit në sistemin e Kosovës.
Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë tha javën e kaluar se veprimi i institucioneve të Kosovës u ndërmor në kohën kur banorët kishin nisur procedura gjyqësore kundër vendimit për rrënimet.
Gjykata Themelore në Mitrovicë konfirmoi për REL-in se i ka pranuar tri padi civile kundër ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” lidhur me rrënimet.
Për dy nga paditë, ajo tashmë e ka hedhur poshtë si të pabazuar propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, ndërkaq për lëndën e tretë, ajo po shqyrton ende nëse do të caktojë ose jo një masë të tillë.
Sipas drejtorit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, të dhënat e mbledhura treguan se shumica e këtyre shtëpive ishin ndërtuar gjatë viteve 2019-2020 në tokën e ndërmarrjes.
Mujka kishte thënë këtë muaj gjatë një diskutimi publik se “Ibër-Lepenci” e ka detyrim ligjor të mbrojë pronën që administron.
Korab Dibra, ekspert ligjor për çështje pronësore, shpjegoi më herët për REL-in se neni 23 i Ligjit për Pronën Publike shprehimisht përcakton se në pronat në pronësi publike nuk mund të fitohet pronësia përmes parashkrimit fitues, si dhe me ndërtimin e objektit në kundërshtim me legjislacionin përkatës që rregullon të drejtën e ndërtimit dhe ndërtimin.
“Kjo dispozitë e përjashton mundësinë e fitimit të pronësisë në pronën publike, nëse është ndërtuar pa leje, qoftë edhe me aplikim për legalizimin e ndërtimeve pa leje”, thotë Dibra.
Dibra shtoi se, në kuptim të ligjit, edhe ndërmarrja “ka të drejtë dhe detyrim ligjor ta mbrojë pronën që administron ndaj çdo cenimi të paautorizuar nga palët e treta”.
Por, sipas tij, ligji përcakton se organi kompetent nuk mund ta kryejë rrënimin, nëse kërkesa për legalizim apo ankesa është ende në shqyrtim./REL



