Vazhdon retorika kërcënuese mes SHBA-së dhe Iranit

Arrin kulmin retorika kërcënuese mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, ashtu si dhe frika se mund të fillojë lufta mes tyre. Presidenti amerikan, Donald Trump përmes postimeve të një-pas-njëshme në Tëitter thotë se Uashingtoni nuk do të hezitojë të dërgojë sipas tij, pajisjet më të mira ushtarake në botë, nëse Irani sulmon ndonjë bazë amerikane apo ndonjë amerikan. Trump shton se Uashingtoni ka identifikuar 52 “pozicione iraniane” që do t’i sulmojë shumë shpejtë dhe shumë fuqishëm, nëse Teherani sulmon për t’u hakmarrë për vrasjen e gjeneralit Iranian, Qasem Soleimani.

“Ata na sulmuan dhe ua kthyem. Nëse na sulmojnë sërish, gjë që i këshilloj të mos e bëjnë, ne do t’i godasim shumë më fuqishëm se që janë goditur ndonjëherë”, tha Donald Trump, president i SHBA-ve.

Irani me kërcënim se do t’i sulmojë 35 pozicione amerikane në kundër-përgjigje, përfshirë anijet në Gjirin Persik. Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei është zotuar se do të hakmerret për vrasjen e Soleimanit, ndërsa Presidenti iranian, Hassan Rohani ka deklaruar se vrasja e Soleimanit do ta bëjë Teheranin më të vendosur në rezistencën e tij kundër Uashingtonit. Irani ka shpallur tre ditë zi kombëtare në respekt të Soleimanit, i cili konsiderohet si hero kombëtar, ndërsa mijëra persona vërshuan rrugët e qytetit perëndimor të Iranit në Ahvaz për t’i dhënë lamtumirën. Ndonëse forcat Quds, që udhëhiqte Soleimani, Uashingtoni i konsideron si organizatë terroriste dhe e fajëson për sulmet ndaj SHBA-së, përfshirë edhe sulmin ndaj ambasadës amerikane në Bagdad më 31 dhjetor, vrasja e Soleimanit është kundërshtuar nga demokratët. Vrasja e Soleimanit më 3 janar ka nxitur qindra qytetarë të protestojnë në Nju Jork, Çikago, Filadelfi, San Francisko dhe vende të tjera në SHBA-së me parulla “Ndaloni bombardimet në Irak”, “Jo luftë apo sanksione ndaj Iranit” dhe ngjashëm.