Vazhdon pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi

Në Serbi, janë rreth 60 mijë shqiptarë të cilët kanë të drejtë vote. Por, në zgjedhjet e së dielës në këtë proces votuan vetëm 12 mijë prej tyre. Arsye për këtë po del të jetë edhe pasivizimi i adresave të shqiptarëve, veprim ky që Beogradi e ka ndërmarrë tash e sa vjet.

Për shkak të diskriminimit ekonomik, ata po detyrohen të jetojnë përkohësisht në Evropë apo Kosovë.

“Për të mos bërë rrugë të gjatë, pasi jam me fëmijë të vogël, hyra në listën e votuesve dhe e pashë që emri im nuk figuron. Kjo i bie që më nuk e kam të drejtën e votës në Serbi”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Teuta Fazliu.

Ajo thotë se autoritetet serbe i kanë dhënë disa arsye pse ia kanë hequr adresën nga vendlindja.

“Jam taksapaguese e rregullt në Serbi dhe poashtu kam edhe kurorëzim. Arsyeja e vetme që e kishte sjellë policia lokale ishte se Teuta Fazliu punon në qeveri dhe është e martuar me kosovarë”.

Pasivizimi i adresave ka prekur edhe Komunën e Medvegjës.

Sipas Këshillit Kombëtar Shqiptarë, numri i votuesve në Medvegjë për një dekadë ka rënë për 4 mijë.

“Pasivizimi që ka ndodhur në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka pasur pasojat e veta. Sipas organizatave joqeveritare thuhet se për një dekadë numri i votuesve në Medvegjë ka rënë në 4 mijë. Në vitin 2016 ka pasur 10,528 votues, në vitin 2020 kishte 6,591 derisa në vitin 2020 6,175 votues”.

Ragmi Mustafi thotë se për pasivizimin e adresave u janë drejtuar institucioneve të drejtësisë në Serbi.

Ai thotë se krahas pasivizimit të adresave ka rënë edhe numri i shqiptarëve të interesuar për të votuar.