Vazhdon kriza në futbollin anglez, kryetari i PFA s’pranon ta ulë pagën prej 2 milionë eurosh

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Futbollistëve Profesionistë, Gordon Taylor, e ka konfirmuar se ai nuk do ta sakrifikojë asnjë cent të pagës së tij prej dy milionë eurosh në vit, përderisa debati lidhur me pagat e futbollistëve në Angli po vazhdon edhe më tutje.

Përderisa pandemia koronavirus po vazhdon ta paralizojë futbollin, pagat e larta të futbollistëve kanë qenë në qendër të vëmendjes, që kur është vendosur të pezullohen përkohësisht ligat në Britani të Madhe dhe pothuajse kudo në botë, transmeton Gazeta Express.

Vendimet e klubeve si Tottenham dhe Liverpool për t’i liruar nga puna punëtorët e stafit josportiv kanë bërë që klubet të kritikohen ashpër, pasi që qeveria do të duhet të ndajë para për ata punëtorë, përderisa klubet e Premierligës janë mjaft të pasura dhe të mund t’ia lehtësonin barrën qeverisë duke i paguar vetë ata punëtorë.

Sekretari i Shëndetësisë në qeverinë britanike, Matt Hancock, ka qenë njëri ndër politikanët e shumtë që ka kërkuar nga futbollistët të pranojnë t’u ulen pagat, mirëpo Shoqata e Futbollistëve Profesionistë beson se anëtarët e vet janë duke u sjellë në mënyrë të përgjegjshme.

Në deklaratën e lëshuar së fundi, Shoqata e Futbollistëve Profesionistë, që përfaqëson futbollistët në Angli dhe Uells, tha se nuk mendon që ulja e pagave të lojtarëve për 30 për qind është zgjidhja më e mirë.

Këtë pretendim Shoqata e argumentoi duke thënë se qeveria britanike do t’i humbë mbi 200 milionë funte nga taksat e pagave të lojtarëve nëse pagat e tyre ulen për 30 për qind, duke sugjeruar se do ta gjejnë një mënyrë që të ndihmohen shërbimet publike e jo të ulen pagat pasi që në këtë mënyrë ndihmohen vetëm pronaret e klubeve dhe dëmtohen ata që kanë nevojë.

Kur kryetari i Shoqatës, Gordon Taylor, u pyet se do ta ulte ai pagën e vet, Taylor u përgjigj: “Shoqata do të dhurojë para dhe Shoqata është e përfshirë në fondacionin e lojtarëve. Për momentin, qëndrimi ynë është që t’u japim pagë të plotë të gjithëve në staf që janë mbi 60-vjeçar”.

Taylor më tutje sqaroi se Shoqata do ta shqyrtojë mundësinë e uljes së pagave nëse klubet i zbulojnë detajet e plota të situatës së tyre aktuale financiare. /Gazeta Express/