VLEN përmes një komunikate theksoi sot se BDI përsëri gënjen, manipulon dhe e nënçmon opinionin publik.
“Ofertën më të lirë e paraqesin si korrupsion, sepse nuk mund të pajtohen me faktin se MEPSO nuk është më kasa e tyre partiake.Faktet janë të qarta: në procedurën konkrete është zgjedhur oferta më e lirë. Ofertuesi i përzgjedhur ka ofruar çmim prej 184.535 denarësh pa TVSH, ndërsa oferta e renditur e dyta ka qenë 651.165 denarë pa TVSH. Diferenca është 466.630 denarë, përkatësisht oferta e zgjedhur është rreth 72 për qind më e ulët.
Çfarë saktësisht e pengon BDI-në? Që është zgjedhur oferta më e lirë? Apo që më nuk mund të vendosin ata se kush do t’i fitojë tenderët?
BDI me qëllim e ngatërron vlerën kornizë me çmimin e ofruar. Kjo është një kontratë kornizë, jo pagesë automatike. Vlera maksimale nuk do të thotë se do të shfrytëzohet e gjithë shuma, as se paratë janë paguar paraprakisht. Porositë realizohen sipas nevojës, veçmas dhe sipas punëve të kryera realisht. Por këtë herë me çmime shumë më të ulëta, ndryshe nga koha kur ata menaxhonin.
Prandaj konstruksioni i tyre bie që në faktin e parë.
Arsyeja e vërtetë e kësaj britme politike është tjetër: BDI bërtet sepse MEPSO ka filluar t’i ndërpresë skemat e vjetra. Bërtasin sepse u ndërpre kontrata në të cilën, sipas informacioneve publike, paraqitej edhe interesi i Nefit nga Ohri, i afërt me Ali Ahmetin dhe Bujar Osmanin. Bërtasin sepse u hap çështja se si për vite me radhë janë tërhequr para nga MEPSO përmes firmave të afërta, njerëzve të afërt dhe qarqeve të afërta me udhëheqësinë e BDI-së”, theksohet në reagim.
Reagimi i VLEN vjen pasi që Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër lidhur me një tender të fundit në MEPSO, duke ngritur dyshime për, siç thuhet, një rrjet të organizuar favorizimi partiak dhe keqpërdorimi të parasë publike..
Sipas BDI-së, kompania “Green Maintenance”, e themeluar vetëm pak javë para shpalljes së tenderit, ka arritur të fitojë kontratë me vlerë deri në 236 mijë euro për pastrimin e korridoreve nën largpërçues.
“Skandali i ri në MEPSO ngre dyshime serioze për një rrjet të organizuar favorizimi partiak dhe keqpërdorimi të parasë publike”, thuhet në reagimin e partisë.
Nga BDI theksojnë se kompania në fjalë nuk ka histori pune, kapacitet të dëshmuar dhe as prani reale në terren, duke e bërë fitimin e tenderit, sipas tyre, edhe më të dyshimtë.(INA)





