Vazhdojnë luftimet Azerbajxhan-Armeni

Armenia dhe Azerbajxhani janë duke luftuar tash e 19 ditë rreth territorit kontestues të Nagorno-Karabakut.

Të dy palët akuzuan njëra-tjetrën për bombardimin e zonave civile brenda natës.

Gjatë bisedimeve në Moskë më 9 tetor, Azerbajxhani dhe Armenia ranë dakord për një armëpushim dhe vendimi hyri në fuqi të shtunën, 10 tetor, për arsye humanitare, me qëllim shkëmbimin e të burgosurve dhe gjetjen e trupave të të vrarëve në luftime. Përkundër kësaj, sulmet vazhduan.

Ministria e Punëve të Jashtme e Azerbajxhanit raportoi mbi përpjekjet e Armenisë për të marrë disa pozicione gjatë natës, por që pas përpjekjeve të pasuksesshme, u bombarduan vendbanimet civile në rajonet e Agdam, Ajabadi, Goranboi dhe Tatar.

Nga ana tjetër, mediat publikuan foto të spitalit që u shkatërrua gjatë sulmit në Azerbajxhan.

Ministria e Jashtme e rajonit të Nagorno-Karabakut raportoi se mosnjohja e mëtejshme e aleancës trepalëshe midis Turqisë, Azerbajxhanit dhe ‘terroristëve ndërkombëtarë’, nga bashkësia ndërkombëtare, mund të çojë në pasoja të pariparueshme jo vetëm për Kaukazin Jugor, por edhe jashtë këtij territori.