Vazhdojnë kërkimet për viktimat e zjarrit në Zvicër

Organet zvicerane ende nuk kanë përfunduar aksionin e kërkimit për viktimat e zjarrit në një bar në një resort skijimi në Crans-Montana të Zvicrës, nga nata e Vitit të Ri.

Rreth 40 persona kanë humbur jetën e 115 janë lënduar. Ekipet emergjente vazhdojnë të qëndrojnë ende në vendngjarje.

Doktorët kanë thënë se ka të lënduar rëndë, me djegie deri të shkallës së tretë. Ndërkaq autoritetet kanë bërë të ditur se do të duhen edhe disa ditë ose madje javë për t’i identifikuar viktimat.

Ende nuk është sqaruar se çka e shkaktoi zjarrin, por dëshmitarët kanë thënë se është shpërndarë me shpejtësi dhe ka shkaktuar kaos.

Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin e ka cilësuar ngjarjen si ndër më tragjiket që ka përjetuar Zvicra. Ai ka shpallur pesë ditë zie.