Varroset kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej

Qindra persona në Serbi, përfshirë edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, morën pjesë në ceremoninë e varrimit të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, i cili vdiq në moshën 90-vjeçare si pasojë e infektimit me korona virusin e ri.

Autoritetet serbe kanë shpresuar se gjatë varrimit të Patriarkut Irinej të shmangin turmat e njerëzve, që do të mund të paraqiste rrezik për përhapjen e mëtejme të korona virusit.

Vetëm të afërmit e Irinejt, klerikët dhe disa personalitete të tjera, përfshirë presidentin Vuçiq dhe anëtarin serb të presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, u lejuan brenda kishës Shën Sava.

Qytetarët e ndoqën ceremoninë e varrimit nga ekranet e mëdha, të vendosura jashtë kësaj kishe.

Gjatë eulogjisë, Vuçiq tha se Irinej është munduar që të gjejnë rrugë për Serbinë, që të mos e njoh pavarësinë e Kosovës.

“(Irinej) Ka vepruar në mënyrë racionale, duke kërkuar rrugë që të ruajmë, ose të paktën të mos e pranojmë në asnjë mënyrë pavarësinë e Kosovës, duke e kuptuar realitetin e vështirë”, tha Vuçiq.

Kisha Ortodokse Serbe fuqishëm kundërshton pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt, 2008.

Shumica e klerikëve që morën pjesë në ritet e varrimit brenda kishës, nuk kishin maska, dhe pa maska ishin edhe disa persona që qëndronin jashtë. Megjithatë, shumica e qytetarëve që u mblodhën në Beograd kishin veshur maska dhe u munduan që të mbanin distancë fizike nga njëri-tjetri.

Irinej rezultoi pozitiv për koronavirus më 4 nëntor dhe vdiq më 20 nëntor.

Ai kishte marrë pjesë në varrimin e mitropolitit Amfilohije të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, i cili vdiq nga koronavirusi. Ende nuk dihet nëse Irinej u infektua me korona virus gjatë këtij varrimi, ku morën pjesë mijëra persona, të cilët nuk respektuan masat kundër korona virusi.