Valbona Reka
Para plot tetë viteve fillova ta ngris zërin dhe të alarmoj për anomalitë në shoqërinë tonë. Asokohe isha një zë i vetëm në rajonin tim, por me kërkesa të qarta dhe ton të lartë që shponte veshët e pushtetarëve, zë që shpërtheu nga një pakënaqësi e thellë ndaj punës së tyre.
Deponi mbeturinash, rrugë me gropa, trotuare të shkatërruara, parqe të zaptuara, kopshte fëmijësh të pa riparuara që nga koha e socializmit, shkolla pa asnjë investim-pamje që tregojnë mungesë respekti ndaj nesh, nëpërkëmbje, padrejtësi dhe diskriminim që në vazhdimësi na bëhej dhe vazhdon të na bëhet edhe sot e kësaj dite; ishin temat që unë i ngritja. Korrupsioni, krimi dhe devijimet e shumta që kishin prekur në të gjitha segmentet në shoqërinë tonë, ishin një arsye më shumë që unë të merja guximin të flas. Këtë nuk e them vetëm unë por e thuan edhe statistikat e ndryshme të organizatave ndërkombëtare, që në fakt shtetin tonë e karakterizojnë si shtet me demokraci të cunguar, me kriminalitet të shtuar, me drejtësi të politizuar dhe me papunësi në rritje. Ideali, vizioni, dëshira dhe dashuria ndaj kombit dhe vendit ishin shtytësit që më jepnin forcën dhe guximin për të vazhduar.
Por, sot jemi shumë, sot i madh e i vogël kërkojmë drejtësi, punë, dinjitet dhe trajtim të barabartë. Tani është koha tu themi ndal padrejtësive. Tani është koha që të udhëheqin të zgjedhur të tjerë, që janë më të guximshëm, më vizionarë dhe më kombëtar. Tani është koha e fundit t’i përvjelim mëngët dhe të punojmë. Tani është koha t’i themi ndal diskriminimit!. Nëse edhe sot heshtim, nëse edhe sot gabojmë duke zgjedhur ata që janë fajtorët e kësaj gjendje në të cilën ndodhemi, atëherë fajtorët për tretjen tonë do të jemi të gjithë ne.
Ju bashkangjita Aleancës për Shqiptarët, sepse këtu gjeta identifikimin e guximit tim me anëtarët e partisë dhe me kryetarin tonë zotëri Ziadin Sela. Jam e nderuar që më është dhënë besimi për të kryesuar Listën e njësisë 4 zgjedhore.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa bashkoi fuqitë dhe del me një program të përbashkët gjithëpërfshirës, program që përfaqëson të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut pa dallim, duke i bërë të barabartë para institucioneve prandaj edhe programi jonë quhet “SHTET PËR TË GJITHË”!
Të nderuar qytetarë, votoni koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa që zëri juaj të merr fuqinë aty ku është vendi.
Ju falemnderit dhe na priftë e mbara!
(Fjalim në konventën promovuese të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në Tetovë)