
Vala e të nxehtit që ka përfshirë vendet e rajonit do të zgjasë deri më 27 korrik, parashikojnë meteorologët, ndërsa temperaturat në disa qytete dhe vendbanime do të arrijnë deri në 44 gradë Celsius.
Për shkak të temperaturave të larta ditore në Bosnje e Hercegovinë, sot është në fuqi alarmi portokalli, ndërsa temperaturat do të lëvizin nga 32 deri në 38 gradë.
Për dy ditët në vijim, në shumicën e zonave do të jetë i vlefshëm alarmi i kuq i motit, ku temperaturat do të lëvizin nga 33 deri në 41 gradë, në zonat jugore të rajonit deri në 42 gradë.
Nxehtësia tropikale pritet sot edhe në Kroaci. Në Senj merkuri në termometër nuk ka rënë nën 30 gradë në orën 6, ndërsa mëngjesin e sotëm është ngrohtë në Lastovë, Palagruzhë, Hvar, në Rijekë dhe Opatija, ku janë matur 24 dhe 25 gradë në periudhën më të freskët të ditës.
Piku i valës së të nxehtit pritet këtë fundjavë ku temperatura lokale do të jetë rreth 40 gradë, ndërsa meteorologët parashikojnë se ka mundësi që të tejkalohen rekordet e korrikut.
Vala e të nxehtit ka mbërritur edhe në Malin e Zi, i cili sipas meteorologëve do të jetë një nga vendet më të nxehta në Evropë me temperaturë deri në 44 gradë Celsius.