Vaksinat: Zaev- Bisedova me Bërnabiqin, po presim miratimin për eksport

Maqedonia ende nuk ka nisur me imunizimin, përkatësisht me vaksinimin kundër Kovid-19. Madje as vaksinat të cilat na dhuron Serbia ende nuk po mund t’i marrim. Kryeministri Zaev tha se edhe sot ka biseduar me kryeministren serbe. Ajo e ka njoftuar se ende po presin miratimin nga Fajzer për të eksportuar vaksinat nga Serbia.

“Në mëngjes sërish kontaktova me Kryeministren Bërnabiq. Kanë lëshuar lutjen e dytë deri te Fajzer që ta japin pajtimin që të mund të eksportohen nga Serbia vaksinat që janë dhënë për vaksinim. Ne si Qeveri gjithashtu intervenojmë disa herë përmes MSH, besoj që ajo do të miratohet, në veçanti që ne dikur në mesin e shkurtit presim që të arrijnë vaksinat për të cilat kemi marrëveshje të drejtpërdrejt me Fajzer”, deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.