Pendarovski konsultohet me ekspertë juridik për regjistrimin të popullsisë

Presidenti Stevo Pendarovski po konsultohet me ekspertë juridikë për Ligjin e Regjistrimit të Popullsisë, ka bërë të ditur kabineti i presidentit për MIA-n. Pasi të kryhen konsultimet siç kanë thënë, presidenti do ta njoftojë vendimin.

Kabineti i Presidentit

“Presidenti Pendarovski bën konsultime me ekspertë juridik për Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë dhe gjatë ditëve të ardhshme do ta bëjë të ditur qëndrimin e tij”.

Për këtë çështje, u prononcua edhe ambasadorja amerikane Kate Byrnes. Ajo shprehet e kënaqur për miratimin e Ligjit në Kuvend.

Kate Byrnes, ambasadore amerikane në Shkup

“Ky është një hap i rëndësishëm. Maqedonia e Veriut nuk ka pasur koncensus pothuajse për 20 vjet dhe kjo është reflektuar në procesin e hartimit të politikave, sepse të dhënat e sakta mbi popullatën janë pjesë e rëndësishme për planifikimin e të ardhmes”.

Ndërsa, për VMRO-n ky regjistrim është i dështuar dhe i falsifikuar dhe siç thonë, ai do të jetë vetëm harxhim kot për qytetarët dhe përgjegjësi për Zoran Zaevin.

VMRO-DPMNE

“Qytetarëve të Maqedonisë nuk u nevojitet regjistrim politik, por operacion me numra të vërteta statistikore që në të ardhmen do shërbejë për strategjitë ekonomike dhe sociale”.

Të njëjtën ditë kur u miratua ligji, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ligjin e ka dorëzuar te presidenti për nënshkrim dhe për shpallje të ligjit. Pendarovski, konform ligjit, në afat prej shtatë ditësh, duhet ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjin ose me letër ta njoftojnë kreun e Kuvendit nëse vendos të mos nënshkruajë ligjin./Shenja