Vetëm gjatë ditës së djeshme, kur edhe nisi aplikimi i dozës së tretë të vaksinës anti-covid në vendin tonë, janë imunizuar 69 qytetarë. Nga Ministria e Shëndetësisë u tha se doza e tretë duhet të jetë vetëm Pfizer, pa marrë parasysh se çfarë vaksina paraprakisht kanë marrë qytetarët, mirëpo me këtë mendim nuk pajtohen mjekët. Nuk është mirë të kombinohen vaksinat, pra të merret doza e tretë e “Pfizer”, nëse më parë janë përdorur dy doza nga një prodhues tjetër, thotë Zllate Mehmedoviq, kryetar i Shoqatës së Mjekësisë së Punës.
“Sinqerisht unë do të prisja, sa i përket personave që nuk kanë marrë dozën e parë dhe të dytë Pfizer të marrin tani booster dozën Pfizer. Mendoj se kemi kohë të mjaftueshme në javët në vijim që t’i vaksinojmë qytetarët që kanë marrë dozën e parë dhe të dytë të pfizer dhe të presim për studimin mbi të cilin po punohet në SHBA nga ana e CDC, Universiteti John Hopkins dhe FDA mbi atë se si mund të përzihen vaksinat gjatë dhënies së booster doza”, tha Mehmedoviq.
Mehmedoviq për TV21 thotë se nuk dihet cilat janë pasojat shëndetësore që mund të vijnë nga përzierja e vaksinave të ndryshme meqë siç tha, studimi mbi këtë çështje nuk ka përfunduar ende nga ekspertët. Andaj Mehemdoviq tha se personat e vaksinuar me një lloj tjetër të vaksinës që nuk është Pfizer, duhet të presin rezultatet e studimit dhe mos të nguten për imunizim me dozën e tretë.
“Tani për tani rekomandimi i CDC është te ata që kanë marrë Pfizer mund të marrin Pfizer. Pritet booster doza për Moderna dhe Johnson dhe varësisht nga rezultatet e studimit në javët e ardhshme, do të mund të dihet nëse mund të ketë përzierje ta vaksinave, sa i përket përforcimit të imunitetit”.
Nuk do të shpejtoja sepse EMA ende nuk ka deklaruar qëndrimin e saj për booster dozat dhe do të apeloja që në periudhën në vijim ta çojmë procesin pak më me kujdes.
Doza e tretë e vaksinës nuk është kusht për udhëtime, për të marrë pjesë në ndonjë ngjarje kulturore, sportive dhe të tjera, as për të hyrë në institucione dhe objekte hotelierike. Vaksinimi me dozën e tretë kundër Covid-19 filloi dje në Maqedoni dhe rekomandohet për personat mbi 60 vjeç, punonjësit shëndetësor dhe personat me sëmundje kronike pavarësisht moshës.