Vaksina e Pfizer-it “mund të ruhet nëpër frigoriferë një muaj”

Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka thënë se vaksina kundër koronavirusit e kompanisë Pfizer, mund të ruhet në temperaturë të frigoriferit më gjatë sesa është rekomanduar paraprakisht.

Ky institucion ka thënë se sapo të shkrihen vaksinat – kur janë të pahapura – mund të mbahen nëpër frigoriferë deri në një muaj.

Kufizimi aktual është vetëm pesë ditë.

Kjo rritje e fleksibilitetit pritet të ketë ndikim të madh në rritje të shkallës së vaksinimit në Bashkimin Evropian.
Një dozë e vaksinës së kompanisë Moderna. Fotografi ilustruese.

Nevoja për transport dhe ruajtje në temperatura tejet të ulëta ka qenë një nga mangësitë e mëdha të vaksinës së kompanisë Pfizer.

Kërkesat specifike për ruajtje të kësaj vaksine e kanë bërë më të vështirë dhënien e tyre në disa vende të botës.

Në muajin shkurt, Shtetet e Bashkuara kanë miratuar ruajtjen dhe transportimin e vaksinës së kompanisë Pfizer në temperature prej -15 deri në -25 gradë Celsius për gati dy javë, për dallim nga -80 deri në -60 gradë Celsius sa kërkohet zakonisht.

Më herët gjatë këtij muaji, Kanadaja ka autorizuar dhënien e vaksinës së kompanisë Pfizer edhe për fëmijët e moshës 12-15 vjeç, duke u kthyer në shtetin e parë që ka bërë një gjë të tillë për këtë kategori.