Vajza shqiptare, menaxhere e suksesshme në Hong Kong

Vanda Selimi, një shqiptare e suksesshme që jeton e punon në Hong Kong si Menaxhere eventesh dhe zhvilluese biznesi në “The Whisky Library”, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, betejën e shtetit aziatik ndaj Covid-19. Intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA.

HONG KONGU NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Hong Kong ka bërë një punë të shkëlqyer në monitorimin, përmbajtjen e shpërhapjes dhe kurimin e personave të prekur nga COVID-19. Deri më sot Hong Kongu ka regjistruar 1108 raste nga të cilat 672 janë raste të importuara (57%) që nga rasti i parë i konfirmuar më datë 23 Janar 2020 dhe vetëm 4 fatalitete. Hong Kongu ka një eksperiencë të vyer nga virusi Sars ku numri i të vdekurve ka qenë shumë më i lartë (300 në mos gaboj) dhe nuk mori asnjë shans për të nënvleftësuar apo injoruar virusin. Duke nxjerë mësime nga e kaluara në një kohë, kur e gjithë bota thoshte që është vetëm një grip i thjeshtë dhe do kalojë Hong Kong mori masa shumë serioze kundër kësaj pandemie globale. Personalisht unë jam me maskë që në javë të parë të janarit, me datë 31 dhjetor 2019 kam lexuar për herë të parë për këtë virus dhe duke pasur parasysh afërsinë që kemi me Kinën dhe mbi të gjitha lëvizjen masive të njerëzve e kam marrë shumë seriozisht situatën. Hong Kong ka një nivel shumë të lartë qytetarie dhe që nga Sarsi çdo njeri që ka simptoma sado të lehta gripi direkt vë maske dhe nuk paraqitet në punë në mënyrë që të mos infektojnë të tjerët përreth. Në fillim pati pak kaos dhe kishin mbaruar maskat dhe çdo lloj solucioni disinfektatë durash por pas vitit të ri kinez kishte stok mjaftueshëm.

MASAT QË MORI QEVERIA NË HONG KONG

Që pas vitit të ri kinez (pas datës 25 janar 2020), çdo kompani ndërkombëtare kryesisht dhe qeveria u ka kërkuar punonjësve të punojnë nga shtëpia me qëllim frenimin e përhapjes së virusit global dhe kjo situatë ka vazhduar deri në fund të majit. Po ashtu, kopshtet, shkollat dhe universitet kanë qenë të gjitha të mbyllura deri para një jave ku fëmijët e shkollave janë rikthyer nëpër banka por jo të kopshteve. Që nga Marsi, kur filluan të shfaqen shumë raste të importuara, çdo person i ardhur është pajisur me një ‘byzylyk’ me tracking system dhe ka bërë karantinë të detyrueshme për 14 ditë. Që nga fundi i marsit çdo person i mbërritur në aeroport është testuar për covid-19 dhe pavarësisht përgjigjes negative ka vazhduar të bëjë karantinën e detyruar në shtëpi, hotel apo qëndra të caktuara nga qeveria. Çdo person i testuar pozitiv, me ose pa simptoma është shtruar në spital dhe kuruar deri sa ka rezultuar negativ. Doktorët këtu kanë eksperimentuar një kurë me 3 lloje antiviralesh e cila ka rezultuar shumë e suksesshme dhe ka përgjysmuar kohën e kurimit; ngarkesën virale dhe ka ulur dukshëm rrezikun e infektimit të stafit mjekësor nga ekspozimi për kohë të gjata në ambjente me ngarkesë të lartë virale. Në çdo dyqan, kafeteri, zyrë, çdo njeriu i është matur temperatura në hyrje të godinës, nëse temperatura rezultonte mbi 37.5 janë njoftuar autoritete përkatëse të cilat janë marrë me rastin në fjalë. Pavarësisht se në Hong Kong s’ka qenë e detyruar me ligj përdorimi i maskave, të gjithë njerëzit vendosin maska pa përjashtim në rrugë, në transport publik, në zyra, dyqane, lokale e gjithandej. Pavarësisht se nuk ka pasur asnjë ‘lock doën’ njerëzit kanë qëndruar nëpër shtëpija dhe nuk kanë dalë pa arsye shumë të forta që në fund të janarit. Vetëm baret, karaoket, kinematë, spa dhe palestrat kanë qenë të mbyllura për një muaj pasi në disa raste lokalet kishin lidhje me frekuentimin e këtyre ambjenteve por çdo gjë tjetër ka qenë hapur dhe funksionale. Në Hong Kong s’ka qenë e nevojshme që të dalë policia për të ndarë njerëzit apo për ti thënë shkoni në shtëpija, të gjithë njerëzit e kanë kuptuar seriozitetin e virusit dhe të gjithë kanë bashkëpunuar duke mbajtur numrat shumë poshtë duke llogaritur që është një vend me popullsi shumë të dendur (7.5milion ne 1106km2). Edhe kur patëm 24 ditë pa asnjë rast të ri, asnjë njeri s’u relaksua dhe të gjithë vazhduan të mbajnë maska. Aktualisht situata është e mirë, rrugët janë plot dhe jeta i është riktyer pothuajse normalitetit por ka ndonjë rast sporadik që tregon që ka mbartës të fshehur dhe virusi nuk është zhdukur. Nëpër lokale e restorante janë në fuqi rregullat e distancimit dhe çdo njeri i respekton rreptësisht.

COVID-19 SI NJË PËRJETIM PERSONAL

Për mua personalisht ka qenë një periudhë shumë e ngarkuar emocionalisht dhe me vendime të mëdha. Vajza ime ishte vetem 4.5 muajshe kur çdo gjë filloi të dalë në sipërfaqe dhe kur mbushi 5 muajshe ne ishim në një situatë shumë të vështirë dhe që kur flisnim me familjarët apo shoqërinë nëpër botë s’na e kuptone dhe besonte njeri. Takimet për vaksinimin e vajzës apo me pediatrin ishin anulluar sepse nuk donin të ekspozonin bebet; unë isha e detyrur të shkoja në punë dhe çdo ditë pasi kthehesha nga puna dëgjoja në lajme se si rasti x kishte kaluar apo frekuentuar të njëjtat ambjente sikurse unë në të njëjtin hark kohor. Ishim izoluar në shtëpi në ditët e pushimit, nëpër supermarkete s’kishte më as ushqime sepse njerëzit ishin në fazën e blerjeve nga paniku. Për një kohë shumë të gjatë s’kemi takuar asnjë njeri, as shokë, as shoqe as bahskëpunëtorë apo të afërm me qëllim për të evituar ekspozimet. Vajza jonë nuk del nga shtëpija, maksimumi një xhiro në park por asgjë më shumë. Po ashtu me shoqërinë shqiptare (jemi rreth 20 shqiptarë këtu) këtu komunikojmë gjithë kohën nëpër grupe po s’kemi takuar asnjeri që nga dhjetori. Ata që e kanë përjetuar më shumë kanë qenë familjet me fëmijë të vegjël, sikurse ne, janë dhe dy familje me fëmijë të gjithë nën 1 vjeç aktualisht dhe të gjithë kanë qenë në stres. Prej dy javësh, mund të them që gjërat janë më mirë, njerëzit janë pak më të qetë, dalin pak më shumë dhe takohen me shoqërinë por kuptohet duke ruajtur distancën. Përsa i përket situatës në Hong Kong është sensitive dhe më mirë të mos përzihem në këtë pjesë por shpresojmë që e ardhmja të jetë më e bukur sepse kemi kaluar një vit shumë të ngarkuar që nga fillimi i protestave.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA
Jam e gëzuar që komunikoj nëpërmjet këtij shkrimi me shqiptarët në Amerikë. Ata janë model për organizimin dhe rolin e tyre patriotik në dobi të çështjes kombëtare. Uroj me shpirt që të ndjekin modelin e Nolit dhe Konicës për një Shqipëri të bukur, të fortë, të zhvilluar, dinjitoze në sytë e botës dhe që diaspora nuk e harron kurrë. Kjo diasporë prej 1 shekulli ka qenë model dhe ka ndihmuar shumë në shtetformim dhe lobim. Mendoj se karakteri diplomatik dhe patriotik e bëjnë Vatrën dhe Diellin institucione të përjetshme atdhedashurie. Në këtë kohë pandemie uroj çdo patriot i yni në diasporë në USA dhe kudo të jetë mirë familjarisht. Mesazhi im për të gjithë lexuesit është që bëjë rolin e tij/saj në këtë betejë delikate; të mbajë higjenë të lartë, të mbajë maskë, të mos dalë kot sepse janë mërzitur në shtepi, kjo është diçka e përkohshme por pasojat në familjet që kanë humbur të dashurit e tyre do jetë e përjetshme. Të gjithë kemi diçka në dorë për të bërë për të ulur numrin e rasteve dhe shpërhapjen e virusit. Kini besim: ditë më të mira do të vijnë. Zoti ju bekoftë të gjithëve.