Vaji për gatim 2,8 euro, shampo për 2,3 euro – disa nga çmimet në Greqi janë të njëjta ose më të ulëta se te ne (Foto)

Çmimet e disa frutave dhe perimeve në Greqi, në kulmin e luftës globale kundër inflacionit, janë të njëjta ose madje edhe më të ulëta se ato në Maqedoni. Një kilogram domate shitet për 140 denarë, ndërsa një kilogram mollë kushton 110 denarë, njësoj sikurse edhe te ne. Në prag të sezonit të verës së këtij viti, disa nga çmimet në Greqinë fqinje, e cila është një nga destinacionet më tërheqëse për qytetarët tanë, çmimet në restorante në përgjithësi mbeten në të njëjtin nivel, të vitit të kaluar, por vërehet një rritje e çmimeve në dyqane, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Çmimet e ushqimit, benzinës, në restorante…  

Çmimet e çokollatave, vajit për gatim dhe një pjesë e produkteve konditore për gatim në marketet greke, në vendet turistike që janë gjeografikisht afër dhe më të vizituara nga qytetarët tanë, janë pothuajse të njëjta ose madje edhe më të ulëta se ato në vendin tonë. Statistikat zyrtare të Greqisë matën rritjet e çmimeve në mars, që ishte më e larta për rreth 3% në produktet e qumështit dhe te makaronat.

“Çdo ditë korrigjojmë ndonjë çmim, kostot e punës janë rritur, por nuk mund t’i rrisim çmimet papritur. Rritjet e çmimeve tashmë po reflektohen në shitje, njerëzit zgjedhin se çfarë do të blejnë dhe sa do të blejnë”, thotë pronari i një marketi në një nga qytetet turistike që tashmë ka pritur turistët e parë nga Maqedonia, Serbia , e madje edhe nga Gjermania.

Cilat janë çmimet e produkteve ushqimore bazë në supermarkete dhe furrat e bukës?

Një çokollatë prej 100 gramësh shitet me një çmim prej 50 denarë e lart, varësisht nga marka. Krahasuar me çmimet tona vendase, çmimet greke janë më të larta për makaronat, një pako makarona kushton rreth 102 denarë, por çmimi më i ulët për vajin vegjetal të gatimit mund të jetë rreth 128 denarë për litër, që është pothuajse në të njëjtin nivel si në tregun tonë.

Disa produkte konditore kanë çmime pothuajse të njëjta ose edhe më të ulëta në krahasim me tonat, kështu që 500 gramë pure domatesh kushton 80 denarë. Para fillimit të këtij sezoni veror krahasuar me vitin e kaluar, sipas tregtarëve me të cilët biseduam, nuk ka ndryshime të ndjeshme në çmimet e frutave dhe perimeve. Mirëpo, nuk ka dallim të madh edhe në krahasim me çmimet tona. Një kilogram domate, varësisht nga varieteti, shitet për një çmim midis 140 dhe 182 denarësh. Një kilogram qepë kushton 50,4 denarë, mollët shiten me një çmim prej 110 deri në 153 denarë.

Një krahasim me çmimet te ne tregon se në Greqi, produktet e higjienës personale janë pothuajse të njëjta dhe madje, për produkte të caktuara, kanë çmime më të ulëta. Kështu për shembull, një shampo për banjë prej 750 mililitrash shitet për 2,39 euro ose vetëm 147 denarë, ndërsa një pako më e madhe me peceta higjienike kushton 163 denarë, që është një çmim më i ulët ose i njëjtë me atë në tregun tonë vendas.

Në furrat e bukës dhe në tavernat, ka një rritje të çmimit të disa produkteve, kështu që giroja e famshme tashmë kushton 5 euro ose më shumë, varësisht nga destinacioni turistik. Në furrat e bukës, çmimi i petullave variojnë nga 73 denarë e lart, ndërsa çmimi i një simite varion nga 43 deri në 45 denarë.

Për momentin, restorantet i kanë mbajtur çmimet e ushqimit dhe pijeve të njëjta, megjithëse në disa nga kafenetë buzë detit, çmimi i një frape greke ka arritur në 5 euro e më shumë. Në taverna, pijet e gazuara kushtojnë 2,5 euro ose 154 denarë, ndërsa 1 litër ujë kushton 3,5 euro ose 215 denarë.

Në restorante, një porcion ushqimi deti kushton nga 14 deri në 16 euro, ndërsa çmimet e sallatave, si sallata greke dhe sallata Cezar, variojnë nga 8,5 deri në 11,5 euro.

Gjatë periudhës së kaluar, presioni më i madh i çmimeve u regjistrua te karburantet. Kështu, një litër naftë në mesin e këtij muaji shitej për 138,5 denarë, ndërsa çmimi i benzinës varionte nga 2,06 deri në 2,17 euro për litër, ose rreth 127,4 deri në 134,2 denarë.

Në prag të verës, udhëtimi drejt Greqisë fqinje tashmë është bërë më problematik për qytetarët tanë për shkak të sistemit të ri EES, që kërkon fotografim dhe marrje të detyrueshme të shenjave të gishtërinjve gjatë hyrjes dhe daljes. Nga qershori hyn në fuqi edhe detyrimi për të pasur pajisje shtesë të ndihmës së parë, ndërsa paralajmërohen edhe gjoba më të larta për shkeljet në trafik.