Vajc: Maqedonia e Veriut nuk mund t’i rinegociojë ndryshimet kushtetuese

Ndryshimet kushtetuese janë një kërkesë për të cilën nuk mund të ketë negociata. Nëse këto kritere dhe kushte nuk përmbushen, nuk do të ketë përparim në rrugën drejt anëtarësimit. Kam një komunikim shumë të qartë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se kjo kërkesë duhet të përmbushet dhe nuk i nënshtrohet negociatave, deklaroi eurodeputeti dhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Thomas Vajc, në një intervistë për BGNES transmeton Zhurnal.mk

Për raportin vjetor për vendin, i cili u shoqërua me shumë amandamente dhe debate rreth formulimeve të ndjeshme në tekst, Vajc tha se “sapo kemi filluar negociatat dhe procesi i dorëzimit të amandamenteve gjithashtu sapo ka filluar. Kam kufizime në numrin e fjalëve që mund t’i përfshij në draftin e parë. Gjatësia e draftit të parë përcaktohet sipas rregullave këtu, në Parlamentin Evropian. Tani të gjithë anëtarët dhe raportuesit në hije janë të ftuar të propozojnë sugjerimet e tyre”.

Në lidhje me korrupsionin, i cili mbetet një problem kronik për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, eurodeputeti tha: “Korrupsioni është një problem që e ndajnë shumë shtete brenda dhe jashtë BE-së, në shkallë të ndryshme. Ai i dëmton interesat e qytetarëve në të gjithë Bashkimin Evropian dhe mendoj se të gjithë duhet të përpiqemi ta luftojmë korrupsionin në çdo mënyrë të mundshme. Raporti thekson qartë se duhen përpjekje shtesë për t’u përballur me korrupsionin. Ai gjithashtu evidenton nevojën për më shumë përparim në sundimin e ligjit, për të garantuar qasje në drejtësi dhe për të përmbushur kriteret e Kopenhagenit. Raporti shqyrton detajisht edhe lirinë e mediave dhe lirinë e shoqërisë civile, si dhe çështje mjedisore. Shpresoj që drafti tashmë t’i nxjerrë në pah drejtimet më të rëndësishme, por përmes procesit të amandamenteve, raporti do të plotësohet me formulime të reja dhe paragrafë shtesë që ende duhet të rishikohen dhe të miratohen”, transmeton Zhurnal.mk

Për pyetjen e BGNES se autoritetet në Shkup shprehin mosbesim ndaj Bullgarisë, duke u shqetësuar për “kushte bilaterale shtesë”, dhe nëse kjo minon besimin edhe ndaj institucioneve evropiane, Vajc u përgjigj:

“Në këtë aspekt, të gjithë jemi në të njëjtën pozicion. Ndryshimet kushtetuese janë një kërkesë. Ato nuk janë subjekt i negociatave. Nëse këto kritere dhe kushte nuk përmbushen, nuk do të ketë përparim në rrugën drejt anëtarësimit. Do të ishte shumë keq për këtë dhe të gjithë jemi në të njëjtën pozicion. Kam një komunikim shumë të qartë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se kjo kërkesë duhet të përmbushet dhe nuk i nënshtrohet negociatave,” tha Vajc.