UT: Procesi për zgjedhjen e rektorit zhvillohet sipas kritereve të publikuara

Universiteti i Tetovës përmes një komunikate për shtyp njofton se procesi për zgjedhjen e rektorit zhvillohet sipas kritereve të publikuara.

“Komisioni Universitar i Zgjedhjeve e informon opinionin publik se procesi për zgjedhjen e rektorit zhvillohet sipas kritereve të publikuara që kur është shpallur konkursi përkatës. Ne si organ zgjedhor, kemi krijuar kushte të barabarta për çdonjërin nga kandidatët që marrin pjesë në këtë garë, duke u dhënë mundësi të gjithëve që ta zhvillojnë fushatën e tyre zgjedhore, prezantimin e platformave të tyre programore, realizimin e debateve të ndryshme dhe shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve që universiteti ynë i posedon.
Unë, në cilësinë e kryetarit të komisionit, bashkë me gjashtë anëtarët e tjerë, u kemi krijuar kushte të barabarta konkurrimi të katër kandidatëve që ta realizojnë me sukses prezantimin e programit të tyre.
Për t’u shmangur çdo lloj parregullsie në këtë proces, në përputhje me kriteret e konkursit, secili nga kandidatët ka pasur të drejtën që të caktojë vëzhgues në të gjitha fakultetet ku do të zhvillohen zgjedhjet, sikurse kanë pasur të drejtë ankese edhe për çdo paqartësi ligjore.
Universiteti i Tetovës, dëshmon se është i gatshëm dhe ka kapacitete profesionale që procesin për zgjedhjen e rektorit ta realizojë me sukses të plotë, gjithnjë duke i respektuar dispozitat e Ligjit për arsimin e lartë”, deklaroi kryetari i KUZ-së
Prof. Dr. Nderim Zeqiri. (INA)