Policia e Kosovës ka zhvilluar me sukses një ushtrim të përbashkët me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, në zonën e Ambasadës Amerikane në lagjen Arbëria.
Qëllimi i ushtrimit ishte vlerësimi i gatishmërisë institucionale, forcimi i kapaciteteve reaguese dhe koordinimi ndërmjet njësive të Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së Ambasadës Amerikane për situata krize dhe emergjencash.
Gjatë ushtrimit, i cili u trajtua me seriozitet të lartë, u angazhuan rreth 790 zyrtarë të profileve të ndryshme.
Policia njofton se:
“Falë profesionalizmit të njësive të angazhuara dhe bashkëpunimit të qytetarëve, ushtrimi u realizua pa incidente, duke ofruar mundësi për të vlerësuar dhe përmirësuar qasjet operacionale të sigurisë.”
U demonstrua funksionimi efektiv i mekanizmave të komunikimit dhe reagimit të shpejtë, përdorimi i mjeteve të specializuara të sigurisë, testimi i procedurave operative dhe simulimi i skenarëve të ndryshëm të menaxhimit të krizave.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe pjesëmarrësit në trafik:
“Falënderojmë qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik, të cilët treguan kulturë të lartë dhe mirëkuptuan ndërprerjet përkohshme të qarkullimit të trafikut në zonën e ushtrimit.”
Ky ushtrim konfirmon partneritetin e fuqishëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Ambasadës Amerikane dhe institucioneve të tjera:
“Ky ushtrim konfirmon edhe një herë partneritetin e fuqishëm dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Ambasadës Amerikane dhe institucioneve të tjera, me synim garantimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët, institucionet dhe stafin diplomatik në Republikën e Kosovës.”
Policia e Kosovës thekson se do të vazhdojë të organizojë aktivitete të ngjashme:
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, ndërsa do të vazhdojë me aktivitete që rrisin ndjenjën e sigurisë dhe gatishmërinë institucionale për çdo situatë emergjente.”




